Foto: ZKM

Kurti takohet me Hetemin, flasin për të arriturat dhe sfidat e Komunës së Leposaviqit

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren e Komunës, Marina Bogojeviq dhe shefen e kabinetit të kryetarit, Shqipe Latifi, më 13.03.2024.

Hetemi e ka njoftuar Kurtin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale.

“Në takim u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ndërsa është bërë e ditur se Kurti i përgëzoi për punën, angazhimin dhe kontributin.

“Duke u dhënë mbështetjen e tij, ai kërkoi nga ata qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti në këtë takim është shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Hetemi u zgjodh kryetar i Komunës së Leposaviqit në zgjedhjet e 23.04.2023, e betimi i tij për këtë pozitë u shoqërua me tensione të shumta në Leposaviq.

Për disa muaj me radhë, kryetari Hetemi nuk doli nga objekti komunal.

Peticioni i nënshkruar për inicimin e shkarkimit të kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është dorëzuar 22.01.2024.