Kryetari i partisë së Serbëve në Kosovë: Komuna e Leposaviqit u bë apartament vetëm për kryetarin Lulzim Hetemi - VIDEO

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka tash e më shumë se 20 ditë që po qëndron brenda objektit të kësaj komune.

Një nga kërkesat e serbëve gjatë protestave që kanë nisur që nga 26 maji, është që kryetari i tanishëm i Leposaviqit, Lulzim Hetemi të liroj këtë komunë pasi që ka hyrë me forcë dhe pa vullnetin e qytetarëve.

Kryetari i Partisë së Serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq gjatë një interviste për KALLXO.com ka thënë se objekti komunal është shëndrruar në një apartament dhe që është i hapur vetëm për Hetemin.

“Unë di shumë shqiptarë të cilët i kemi punësuar në Komunën e Leposaviqit të cilët po ashtu nuk mund të punojnë për shkak se ndërtesa është e ndaluar për të gjithë përpos për kryetarin e porsazgjedhur i cili nuk e di me çfarë të drejte i kalon kaq netë në ndërtesën e Komunës. Ata tekstualisht e kanë shndërruar ndërtesën e Komunës në apartman hoteli i cili është i hapur vetëm për kryetarin e për askënd tjetër, bile as për zyrtarët e UNMIKut”- tha Jabllanoviq për KALLXO.com.

Ai shton se Hetemi mund të ushtronte pozitën e tij edhe nga një objekt tjetër e që mund të kishte ndikim më të madh politik nëse vepronte në atë mënyrë.

“Mendoj që do të kishte ndikim më të madh politik nëse detyrën e kryetarit të komunës do ta kishte ushtruar nga një vend tjetër sepse në ndërtesën e cila është e rrethuar me tel gjembor, shërbimet e komunës kosovare të Leposaviqit nuk mund t’i kërkojnë as ata serb që do të dëshironin të kërkojnë shërbime. Mendoj se vendimi i kryetarit nga PDK ka qenë shumë më pragmatik dhe se me këtë qëndrim të z.Hetemi në ndërtesën e komunës, ne në të vërtetë e shohim një vendim të Albin Kurti që ai të mos tërhiqet. Ai është vetëm një instrument”- thotë Jabllanoviq.

Jabllanoviq thotë edhe se Qeveria e Kosovës pretendon se mban një komunikim me serbët në veri të Kosovës por është bërë përmes organizatave jo qeveritare që nuk kanë ndikim në jetën e përditshme atje.

“Qeveria duhet të bëjë një dialog gjithëpërfshirës si me Listën Serbe si me partitë opozitare se si të dëgjohet zëri i popullit në veri të Kosovës. Kjo  është e vetmja rrugëdalje për këtë situatë, dhe sa ma shumë që vonohet do të shkojmë me hapa pas”- tregon Jabllanoviq.

Në rast se dialogu nuk funksionon ai shton se me qytetarët duhet të jenë në kontakt përmes përfaqësuesve politik.

“Duhet të jetë përmes përfaqësuesve politik pa marrë parasysh a janë në pushtet apo janë në opozitë. Ju e keni një praktikë të qeverisë së Kosovës, se serbët në veri nuk janë të lirë dhe janë nën ndikim të madh politik të Beogradit, unë lirisht pajtohem me këtë deklaratë, mirëpo edhe Qeveria e Kosovës tenton që serbët t’i vendosë në një kallëp politik si ata i shohin serbët në veri”- shpjegon Jabllanoviq deri sa shton edhe se situata nuk pret që të përfundoj madje mund edhe të eskaloj.

Jabllanoviq kritikoi edhe vendimin e Listës Serbe që të bojkotohen të gjitha institucionet e Kosovës.

“Në ato protesta, unë nuk e përkrahi Listën Serbe. Përkundrazi, unë qytetarëve iu them që deri te kjo nuk do të vinte nëse Lista Serbe të ishte kujdesur më mirë për qytetarët në Kosovë… që vendimi për braktisjen e institucioneve të Kosovës ka qenë gabim katastrofal i Listës Serbe…  mirëpo pajtohem edhe me qytetarët e Leposaviqit që një person që ka fituar 100 vota, e i cili jeton në Mitrovicën Jugore, nuk mund të qeverisë me Leposaviqin ku 98 përqind janë serbë etnik”- thotë ai.

Që nga 26 maji, pra muajin e kaluar, në tri komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, më saktësisht Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, dhjetëra qytetarë kanë protestuar në mënyra të ndryshme pasi sipas tyre, kryetarët e zgjedhur në prill të këtij viti kanë uzurpuar me forcë hapësirat e objektit të komunës.

Në po atë ditë, pati edhe tensione, gjuajtje me shok bomba, e tentim për të shpërndarë turmën, pasi protestuesit nuk donin të lejonin hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër këto komuna.

Dy ditë pas 26 majit, situata u shënua e qetë, për të pasur sërish incidente një ditë më pas.

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së datës 29 maj, komuna e Leposaviqit ishte blinduar nga dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it amerikan që ishin vendosur në oborr.

Madje për të përforcuar perimetrin e sigurisë, KFOR-i kishte përdorur edhe tela me xhemba e pengesa të tjera.

Informacionet e pranuara se mund të kishte tensione të mëdha po atë ditë, bëri që KFOR të marrë komandën për të drejtuar sigurinë në atë zonë por edhe në komunat e tjera, Zveçan e Zubin Potok.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi kishte shkuar po atë ditë pak orë më herët se protestuesit në komunë. Në bazë të informacioneve dhe deklaratave të pjesëtarëve të Listës Serbe, Hetemi vazhdon tash e 25 ditë të qëndroj brenda hapësirave të komunës.

Bashkë me të janë edhe ekipet e policisë speciale por edhe mbrojtja e afërt.

Qytetarët serb me anë të udhëheqësve të protestave, në Leposaviq, kanë pasur tri kërkesa.

Ish- kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq disa herë gjatë bisedave me pjesëtarë të KFOR-it kishte thënë se kërkesat e qytetarëve janë që të largohet kryetari nga ndërtesa, policia dhe rrethojat që kanë bllokuar oborrin e komunës.

Në forma të ndryshme u protestua për këto kërkesa.

Ditët e para të fillimit të protestave u shënuan me incidente të shumta.

Për këto 25 ditë, mbi 25 raste janë raportuar në polici për sulm ndaj gazetarëve të mediave të ndryshme që punojnë në Kosovë.

Nga këto raste pati edhe dëmtime e djegie të veturave.

Të premten e javës së kaluar u shënua një nga sulmet më të rënda gjatë këtyre ditëve të protestave ndaj gazetarëve.

Mbi 10 gazetarë e kameraman u sulmuan me gurë, e fizikisht nga persona të maskuar që ishin parë në protestë në Leposaviq.

Disa nga gazetarët e kameramanët patën lëndime ndërsa kanë marrë edhe tretmane mjekësore.

Situata u qetësua ditëve në vijim ndërsa vazhdon të jetë e qetë edhe sot.

Tensionet në veri u dënuan nga ndërkombëtarët. Hyrja me dhunë e forcë në objektet e komunave me shumicë serbe sipas ndërkombëtarëve nuk do duhej të ndodhte.

Disa ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi edhe për tre policë kufitarë për të cilët thanë se janë kidnapuar në territorin e Kosovës nga forcat speciale policore të Serbisë.

Deri më sot ende nuk dihet për gjendjen shëndetësore të tyre ndërsa u raportua se të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Kryeministri Kurti gjatë ditës së nesërme pritet që të udhëtoj në Bruksel. Atje ai tha se do të kërkoj edhe lirimin e policëve serb të cilët janë kidnapuar në territorin e Serbisë.

Në anën tjetër mediat serbe gjatë ditës raportuan se presidenti serb Aleksandar Vucic nuk do të shkoj në Bruksel ndërsa si kusht vendosi lirimin e serbë të arrestuar nën dyshimet për sulme ndaj gazetarëve, pjesëtarëve të kforit dhe zyrës së KKZ në Mitrovicë Veriore.