Parandalohet kontrabanda e mjeteve piroteknike në vlerë 15 mijë euro, po silleshin përmes rrugëve ilegale nga Serbia

Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Taskë Forcës -Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës sot kanë parandaluar kontrabandë të mjeteve piroteknike në vlerë 15 mijë euro, të cilat po silleshin me një furgon me targa të Serbisë.

Policia bënë të ditur se mallrat u gjetën gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga I.S., duke lëvizur përmes rrugëve ilegale nga një fshat i Preshëves në drejtim të fshatit Inatoc-Gjilan.

“Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Taskë Forcës -Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacioneve në teren.  Më 31.10.2023, njësitet e lartcekura në brezin kufitar kanë identifikuar një automjet transportues (furgon), me targa serbe,  i cili ishte duke lëvizur përmes rrugëve ilegale nga fshati Renatoc-Preshevë në drejtim të fshatit Inatoc-Gjilan”- thuhet në njoftim.

“Gjatë kontrollit të automjetit, të cilin e drejtonte I.S., mashkull shqiptar, kishte të ngarkuar një sasi të konsiderueshme me paketa gjithsej:115 pako me peshë totale 1457 kg. mjete piroteknike (fishekzjarre) në vlerë sipas tregut afro 15.000 euro”- bën të ditur tutje Policia.

Lidhur me rastin, sipas Policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan, malli së bashku me automjetin janë dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.