Trazirat në Sudan
Paramilitarët shpallin Qeveri rivale në Sudan
Paramilitarët e Sudanit kanë shpallur formimin e një Qeverie rivale kundrejt asaj të forcave të armatosura të vendit, dy vjet pas luftës civile që ka përfshirë vendin, duke u kthyer në krizën më të madhe humanitare në botë – raporton të mërkurën e 16 prillit 2025 televizioni britanik BBC.
Lideri i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Mohamed Hamdan “Hemedti” Dagalo ka thënë se grupi “po ndërton të ardhmen e vetme realiste për Sudanin”.
Njoftimi është bërë në kohën kur Londra po organizonte një Konferencë të nivelit të lartë për të shënuar 2-vjetorin e konfliktit, ku ministri i Jashtëm britanik David Lammy bëri thirrje për “shteg drejt paqes”.
Luftimet kanë vazhduar, me Ushtrinë vendase që ka bërë të ditur se ka bombarduar pozicionet e RSF-së në periferi të qytetit El-Fasher, duke detyruar qindra-mijëra persona të zhvendoseshin prej kampit të refugjatëve në Zamzam.
Hemedti ka thënë se RSF-ja po ndërton “shtetin e së drejtës” dhe jo një shtet të sunduar prej individëve. “Ne nuk po kërkojmë dominim, por unitet. Ne besojmë se asnjë fis, rajon, ose religjion ka monopolin mbi identitetin sudanez.” – thuhet në një deklaratë të lëshuar në Telegram.
Ai ka shtuar se Qeveria e tij do të ofrojë shërbime themelore, si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, jo vetëm për rajonet e kontrolluara nga RSF-ja, por në mbarë vendin.
Më shumë se 400 persona janë vrarë në sulmet e fundit të RSF-së – ka bërë të ditur OKB-ja, duke iu referuar “burimeve të besueshme”.
Dy vjet pas nisjes së luftës civile, edhe Ushtria, edhe RSF-ja kanë akuzuar njëra-tjetrën për krime lufte – përfshirë gjenocidin dhe dhunën masive seksuale.
Hemedti është kurthuar në betejën e pushtetit me Shefin e Ushtrisë sudaneze, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, që prej 15 prillit 2023, duke krijuar një krizë humanitare që raportohet se ka marrë jetën e më shumë se 150 mijë personave dhe ka zhvendosur më shumë se 12 milionë të tjerë.
Gjatë një takimi ndërkombëtar të martën, Britania e Madhe ka premtuar 159 milionë dollarë shtesë për ushqim dhe ilaçe, duke i bërë thirrje botës që të mos ia kthejë shpinën Sudanit. Në Konferencë është bërë thirrje edhe për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, por Unioni Afrikan ka thënë se nuk do të lejojë ndarjen e vendit nga RSF-ja dhe Ushtria sudaneze.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com