Kartum, Sudan
Uria dhe mizoritë shtohen, Sudani hyn në vitin e tretë të luftës civile
Kombet e Bashkuara kanë alarmuar se sudanezët po vuajnë krizën më të madhe humanitare në botë. Vendi është ndarë prej luftimeve të Ushtrisë dhe grupit paramilitar RSF, derisa liderët e tyre, ish-aleatë ushtrie, po luftojnë për pushtet – raporton më 15.04.2025 Agjencia amerikane e lajmeve AP.
Muajin e kaluar Ushtria sudaneze ka siguruar një fitore të madhe duke rikthyer kontrollin e Kryeqytetit Khartoum nga rivalët e saj, Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Por, kjo vetëm sa e ka çuar luftën civile në një fazë tjetër, që mund të përfundojë me ndarje de fakto të vendit.
Të premten dhe të shtunën luftëtarët e RSF-së dhe aleatët e tyre bënë kërdi në dy Kampe refugjatësh në rajonin perëndimor të Darfurit – duke vrarë së paku 300 persona. Kampet Zamzam dhe Abu Shouk, që strehojnë rreth 700,000 sudanezë, të cilët janë zhvendosur prej shtëpive të tyre, po përballen edhe me uri në rritje dhe ekipet e ndihmës humanitare nuk po mund t’i ndihmojnë refugjatët për shkak të luftimeve.
Gjysma e popullsisë prej 50 milionë banorësh përballet me uri. Programi Botëror i Ushqimit ka konfirmuar se zija e bukës ka pllakosur 10 lokalitete dhe ka alarmuar se mund të përhapet – duke rrezikuar me vdekje urie miliona sudanezë.
“Ky konflikt jornomal ka vazhduar qe dy vjet.” – ka thënë Kashif Shafique, Drejtor për Sudanez i “Relief International” – grupi i fundit që ende po punon në Kampin “Zamzam”. Nëntë punëtorë të kësaj organizate bamirëse janë vrarë gjatë sulmit të RSF-së.
Ai ka thënë se bota duhet të bëjë presion për armëpushim. “Çdo moment që presim, më shumë jetë njerëzish janë pezull.” – ka thënë ai. “Njerëzorja duhet të mbizotërojë.”
Çfarë po ndodh në terren?
Lufta plasi më 15 prill 2023, me beteja të ashpra midis Ushtrisë dhe RSF-së në rrugët e Khartoumit, që u përhapën rrufeshëm në pjesë të tjera të vendit.
Ishte kulmi i tensionit disamuajsh ndërmjet kreut të Ushtrisë, gjeneralit Abdel-Fattah Burhan dhe komandantit të RSF-së, Mohammed Hamdan Dagalo. Të dy dikur ishin aleatë në shtypjen e lëvizjes së Sudanit për demokraci dhe sundim civil, por u kthyen kundër njëri-tjetrit në luftën për pushtet.
Lufta ka qenë brutale. Pjesë të mëdha të Khartoumit janë rrënuar me themel. Gati 13 milionë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre, 4 milionë prej tyre janë zhvendosur nëpër vendet fqinje. Të paktën 20 mijë persona janë raportuar të vrarë, por numri i vërtetë është ndoshta shumë më i lartë – raporton AP-ja.
Të dy palët akuzohen për mizori dhe luftëtarët e RSF-së janë akuzuar se kanë sulmuar fshatrat në Darfur, kanë kryer vrasje masive të civilëve dhe përdhunime të grave.
Ripushtimi i Khartoumit nga Ushtria në fund të marsit ishte fitore e madhe simbolike. Kjo ia mundësoi Burhanit të kthehej në Kryeqytet për herë të parë, pas fillimit të luftës dhe të vendoste një Qeveri të re – duke fuqizuar pozitën e tij.
Por ekspertët thonë se RSF-ja konsolidoi kontrollin në zonat që ende kontrollon – një pjesë e madhe e Sudanit perëndimor dhe jugor, duke përfshirë rajonet Darfur dhe Kordofan. Ushtria kontrollon pjesën më të madhe të veriut, lindjes dhe qendrës.
Ndarje de fakto
“Realiteti në terren tashmë i ngjan një ndarjeje de fakto.” – ka theksuar Federico Donelli, asistent-profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Triestes në Itali.
Donelli ka thënë se ka mundësi që të dy palët tani po shpresojnë për një armëpushim. Por më shumë gjasa – ka theksuar ai – Ushtria do të mundohet të shtrijë kontrollin në territorin e RSF-së.
“Të dyja palët po vuajnë nga rraskapitja luftarake.” – ka thënë Suliman Baldo, Drejtor i “Sudan Transparency and Policy Tracker”.
RSF-ja është dobësuar nga çarjet e brendshme dhe “i mungon legjitimiteti politik brenda vendit” – ka paralajmëruar Sharath Srinivasan, profesor i Politikës Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit.
Por ka qasje të fortë në armë dhe burime, përforcuar edhe nga mbështetja nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Çadi, Uganda, Kenia, Sudani i Jugut dhe Etiopia – ka shtuar ai.
“Pa kuptuar gjeopolitikën komplekse rajonale të kësaj lufte është e lehtë të nënvlerësohet qëndrueshmëria dhe aftësia e RSF-së për kundërsulm.” – ka paralajmëruar Srinivasan, autor i “When Peace Kills Politics: International Intervention and Unending Wars in the Sudans”/”Kur Paqja Vret Politikën: Ndërhyrja Ndërkombëtare dhe Luftërat e Pafundme në Sudan).
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com