REUTERS/Thaier al-Sudani
Paramilitarët e RSF-së sudaneze akuzohen për vrasjen e 300 personave
Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të Sudanit kanë vrarë pothuajse 300 persona në sulmet në shtetin e Kordofanit të Veriut që filluan të shtunën, sipas aktivistëve sudanezë – raporton gazeta “The Guardian”.
RSF-ja lufton kundër Ushtrisë sudaneze në zonë, një nga vijat kryesore të frontit të luftës civile në Sudan, që ka shpërthyer që nga prilli i vitit 2023.
Grupi i të drejtave të njeriut “Avokatët e Emergjencave” ka raportuar se RSF-ja ka sulmuar disa fshatra rreth qytetit Bara, që e kontrollojnë paramilitarët.
Grupi ka njoftuar se më shumë se 200 persona u vranë në fshatin Shag Alnom dhe 46 persona – përfshirë gra shtatzëna dhe fëmijë – u vranë në Hilat Hamid. Bastisjet e plaçkitjet në fshatra të tjera vranë 38 civilë dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur – ka shtuar grupi.
Më shumë se 3,400 persona janë zhvendosur nga luftimet e fundit – sipas OKB-së.
“Është vërtetuar se këto fshatra të shënjestruara ishin plotësisht jashtë çdo objektivi ushtarak – gjë që e bën të qartë natyrën kriminale të këtyre krimeve të kryera, me shpërfillje të plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.” – thuhet në reagimin e “Avokatëve të Emergjencave”.
Ushtria ka marrë kontrollin e fortë të qendrës dhe lindjes së Sudanit, ndërsa RSF-ja po punon për të konsoliduar kontrollin e saj në rajonet perëndimore – përfshirë Kordofanin e Veriut.
Luftimet midis RSF-së dhe Ushtrisë rifilluan këtë muaj në El Fasher, Kryeqytet i shtetit të Darfurit të Veriut, pas një qetësie prej disa javësh.
Në luftimet e së premtes së kaluar, që zgjatën me orë të tëra, RSF-ja pushtoi një treg bagëtish, një Burg dhe një bazë ushtarake në El Fasher dhe hyri në qendër të qytetit. Ushtria sudaneze e sprapsi grupin paramilitar të nesërmen, por forcat e RSF-së vazhduan të bombardonin qytetin duke përdorur dronë.
Një Raport i publikuar në fillim të këtij muaji nga “Mjekët pa Kufij” ka treguar modelet sistematike të dhunës – duke përfshirë plaçkitjet, vrasjet masive, dhunën seksuale, rrëmbimet, urinë dhe sulmet kundër tregjeve, objekteve shëndetësore dhe infrastrukturës tjetër civile në El Fasher.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com