Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Paralajmërimi i Vitisë për rritje të mbikëqyrjes nuk funksionon, ulen gjobat e Policisë për moszbatim të masave

Në konferencën e të merkurës, me 18 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, kishte prezantuar masat e reja anti-COVID-19.

Vitia në këtë konferencë kishte paralajmëruar se monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të reja, do të rritet ndjeshëm.

“Gjithashtu edhe monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të këtyre masave do të rritet ndjeshëm”, kishte thënë, ndër të tjera, ministri Vitia.

Ministri kishte bërë të ditur se  nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet, fejesat, dasmat, do të shkurtohet orari i gastronomisë, nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambiente të mbyllura apo në transport publik pa maskë edhe pse kjo ka qenë edhe në masat paraprake por tani do të rritet mbikëqyrja dhe monitorimi.

Por që sipas Raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, për ditën e premte me 20 gusht, kur edhe kanë hyrë në fuqi masat e reja, shihet që gjobat për mos zbatimin e tyre kanë rënë.

Në këtë Raport thuhet se janë shqiptuar 664 gjoba në bazë të Ligjit për COVID-19, ndërsa një ditë më herët, të enjten ishin shqiptuar 722 tiketa të tilla.

 Raporti i datës 19 gusht

  Raporti i datës 20 gusht                                                                                                                                        

Këto masa të reja të miratuara me 18 gusht në mbledhjen e Qeverisë kanë hyrë në fuqi që nga 20 gushti, ndërsa do të mbesin në fuqi deri më 1 shtator, ku më pas, sipas Vitisë, do të vlerësohet situate epidemiologjike.

Masat e reja të Qeverisë: Ndalohen ahengjet e dasmat, mbyllen klubet e natës