Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, Osmani takohet me komandantin e FSK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim pune komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, para udhëtimit zyrtarë për në selinë e NATO-s.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, Osmani u njoftua nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së.

“Po ashtu, Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë bëhet e ditur se Osmani dhe Jashari ritheksuan se vizioni i tyre i përbashkët është që Kosova të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale.

Të enjtën, Sektetari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të pres në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 7 shtator.

Pas takimit, Osmani e Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

NATO-ja ka shprehur mbështetjen për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, ka kërkuar nga të gjithë faktorët në rajon që të bëjnë maksimumin për të ulur tensionet.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Osmani javën e ardhshme do të takohet me Stoltenbergun në selinë e NATO-s