Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani javën e ardhshme do të takohet me Stoltenbergun në selinë e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të pres në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 7 shtator.

Pas takimit, Osmani e Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

“Të enjten, më 07 shtator 2023, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, do të presë znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Sekretari i Përgjithshëm dhe znj. Osmani pas takimit do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në selinë e NATO-s”- thuhet në njoftim.

NATO-ja ka shprehur mbështetjen për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, ka kërkuar nga të gjithë faktorët në rajon që të bëjnë maksimumin për të ulur tensionet.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.