Pamje nga dita kritike e vrasjes së Ivanoviqit shfaqen në gjykimin ndaj 6 të akuzuarve - VIDEO

Në gjykimin për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku të akuzuar janë 6 persona, janë lëshuar video-incizime të ditës kur edhe ishte vrarë i Ivanoviq.

Të pandehurit Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, u ulën krah njëri tjetrit për të shikuar pamjet nga kamerat e sigurisë të objektit banesor ku jetonte tashme i ndjeri Ivanoviq.

Në këto pamje të propozuara nga mbrojtësi i Marko Roshiq, Mahmut Halimi pretendohej se shiheshin dy veturat që kishin përcjellur viktimën nga vendi ku banonte e deri tek selia e partisë.

Njëra nga veturat që Halimi tha se shihej në atë video, ishte gjetur e djegur pas vrasjes së të ndjerit.

Sipas Halimit në këto video shihet se si dy persona në këmbë kishin përcjellur Ivanoviqin pasi kishte dalur nga banesa e tij. E në këtë rast i njëjti u deklarua që i mbrojturi i tij në asnjë moment dhe në asnjë vend nuk shihet duke përcjellur të ndjerin siç pretendon prokuroria.

Për këtë rast janë të propozuara që të shikohen edhe disa video të tjera, të marrura nga kamerat e selisë së partisë politike SDP-së, për të cilat gjykata u deklarua se hapja e tyre pamundësohet për shkak se softuerët e institucioneve tona, nuk korrespondojnë me softuerin që kanë të instaluar DVR i kamerave të sigurisë.

Për këtë rast prokuroria Speciale me në krye Burim Qerkinin, u deklarua se ka obliguar forenzikën që të bëjë konvertimin e video-incizimeve.

“Mundësi teknike as në Prokurorinë Speciale të Kosovës nuk ka, kemi qenë në kontakt me hetuesit dhe forenziken që nga dita e premte ajo nuk është bërë e mundur për sot formati të cilin është nuk ka as te ne, ne i kemi dhënë obligim foreznikës që `ti sjellë në një format tjetër”- u delarua Qerkini.

Në këtë rast propozim për dëgjim të dy dëshmitarëve kishte nga Rade Basare dhe mbrojtësi i tij Tomë Gashi.

Ata u propozuan që të dëgjohen dy dëshmitarë, njëri major i policisë dhe tjetri nënkolonel. Arsyeja e propozimit ishte që të tregohet nëse Basare ka pasur mundësinë që ti marrë lëndët vetë dhe t`i mbyll të njëjtat.

Në këto rrethana seanca e sotme u caktua që të vazhdohet me shikimin e video-incizimeve tjera më 15 dhe 20 dhjetor të këtij viti.

Kryetari i trupit Gjykues në këtë rast është Valon Kurtaj.

Prokuroria po akuzon Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, në cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.

Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja

Dy policët Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur.