Klinaku për bastisjet e Gjykatës Speciale: Mos lejoni të preket asgjë pa prezencën tuaj, mund të iu montojnë prova

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku përmes ëshë shkrimi ka kërkuar që të gjithë ata që mund të jenë cak i bastisjeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të mos lejojnë të preket asgjë pa prezencën e  tyre, pasi sipas tij, mund të iu montohen prova.

Ai përmendi një përvojë të tij nga bastisjet në zyrat e OVL UÇK-së më 25 shtator 2020.

Klinaku theksoi se ka pritur gati 1 orë për urdhëresen e shkruar për bastisje që e kishte kërkuar.

“Kur kam shkuar për të marrë pjesë, apo për të qenë prezent gjatë bastisjeve e kontrollit, puna e parë që e kam bërë është që kam kërkuar nga udhëheqësja e operacionit Zdenka Pumper që t’i nxjerr policët nga zyrat tona e të dalin në korridor, duke i thënë se kemi përvoja të hidhura që nga koha e jugosllavisë kur njerëzve u janë montuar prova, dhe puna e dytë që e kam bërë ka qenë se kam kërkuar urdhëresën e bastisjes dhe kemi pritur gati 1 orë deri sa ka ardhur urdhëresa e shkruar”- ka bërë të ditur Klinaku.

Tutje ai shtoi se kur kanë filluar bastisjet e kontrolli, nuk ka lejuar që të preket asnjë letër pa qenë ai afër gjysmë metre aty që të shoh se çfarë po preket.

“Kur kam nënshkruar procesverbalin e përfundimit të bastisjes, e kam cekur në vërejtje se nuk jap llogari se çfarë është bërë rreth 1 orë e gjysmë përpara sa nuk isha unë prezent aty. Prandaj, secili nga ju që mund të jeni cak i bastisjeve apo kontrollit të tyre, mos lejoni që të preket diçka pa prezencën tuaj, sepse ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale”- ka shtuar më tej Klinaku.

Ditë më parë Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer bastisje gjatë kësaj jave në disa lokacione në Kosovë.

ZPS ka bastisur shtëpinë e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, i cili ishte bërë këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bastisur edhe banesën e ish-këshilltarëve të tjerë të Thaçit: Blerim Shalës, Artan Behramit dhe Ismail Sylës.

Ndërsa më 3 nëntor është arrestuar edhe ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj. Për të njëjtin u tha se i janë gjetur prova që kanë lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale.

ZPS: Po kryejmë operacione në Kosovë gjatë hetimeve për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë