Ilustrim: Pakistan

Pakistan: Numri i të vdekurve nga sulmet vetëvrasëse shkon në 56

Numri i të vdekurve nga sulmi vetëvrasës në veriperëndim të Pakistanit që e kishte si shënjestër tubimin politik të një grupi fetar të linjës së ashpër është rritur në 56, tha një zyrtar qeveritar të martën.

Numri i sulmit të së dielës në distriktin Bajaur në kufirin me Afganistanin mund të rritet ende, thotë Anëar-ul-Haq, zëvendëskomisioneri i rajonit.

Grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në një tubim të partisë Jamiat Ulema Islam-Fazl (JUI-F), e cila njihet për lidhjet e saj me islamistët e vijës së ashpër, por që i dënon militantët që kërkojnë ta përmbysin qeverinë.

Partia është aleate me koalicionin qeverisës të kryeministrit Shehbaz Sharif, i cili po përgatitet për zgjedhje të përgjithshme që priten të mbahen deri në nëntor.

Sharif e denoncoi shpërthimin, i cili erdhi pas muajsh tensioni politik dhe një krize ekonomike, si një sulm ndaj procesit demokratik.

Agjencia e lajmeve Amaq e Shtetit Islamik tha në një pretendim për sulmin në kanalin e saj Telegram se demokracia është armiqësore ndaj Islamit.

“Sulmi vjen në kontekstin natyror të luftës së vazhdueshme të zhvilluar nga Shteti Islamik kundër “demokracisë” si një regjim armiqësor ndaj Islamit të vërtetë dhe në konflikt me ligjin e tij hyjnor”, tha agjencia e lajmeve./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala