Pakistan: të paktën 44 të vrarë pas një shpërthimi në një tubim politik

Të paktën 44 persona janë vrarë në një shpërthim në Pakistan gjatë një mitingu të organizuar nga një parti islamike.

Më shumë se 100 njerëz tjerë mbetën të plagosur gjithashtu në shpërthimin në distriktin veriperëndimor Bajaur, ku Jamiat Ulema-e-Islam-Fazl (JUI-F) po mbante një takim.

Policia e atjeshme ka thënë për BBC se ka gjetur prova të cilat sugjerojnë se shpërthimi ishte një sulm i mundshëm vetëvrasës.

Një operacion shpëtimi ka përfunduar dhe të gjithë të lënduarit janë dërguar në spital, thanë oficerët.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet më tej, pasi 15 persona janë ende në gjendje kritike.

Motivimi pas sulmit nuk është ende i qartë. Forcat e sigurisë kanë rrethuar zonën dhe po hetohet për shpërthimin.

Qindra njerëz po merrnin pjesë në kongresin e punëtorëve JUI-F të dielën në qytetin Khar, në rrethin fisnor pakistanez të Bajaur, provincën Khyber Pakhtunkhwa, afër kufirit me Afganistanin.

Fotot tregojnë qindra njerëz të mbledhur nën një tendë kur shpërthimi ndodhi afër skenës.

Një dëshmitar okular tha se tenda u shemb, duke i bllokuar njerëzit të cilët dëshpërimisht po përpiqeshin të shpëtonin.

Autoritetet kanë shpallur emergjencë shëndetësore në spitalin e rajonit.

JUI-F është një parti e madhe politike fetare dhe është pjesë e koalicionit qeveritar në parlamentin e Pakistanit.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif i ka dënuar ata që janë përgjegjës si terroristë që i kanë “shënjestruar ata që flasin për Islamin, Kuranin dhe Pakistanin” dhe tha se do të përballen me “dënim të vërtetë”.

Tubimi politik ishte një mundësi për JUI-F për ta mbledhur mbështetjen e saj, përpara zgjedhjeve që priten të zhvillohen më vonë këtë vit./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala