Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, Foto: KALLXO.com

Pagesat me dinarin serb, ambasadori amerikan insiston që të shtyhet zbatimi i Rregullores së BQK-së

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur kërkesën për të shtyrë zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që përcakton, ndër të tjera, se e vetmja valutë për kryerjen e pagesave në vend është euro.

Kërkesën ambasadori amerikan e bëri publike pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas ambasadorit, SHBA-ja e respekton rolin e BQK-së në rregullimin e sektorit financiar.

“Unë po e lë Qeverinë të flasë për atë se sa janë të gatshëm të rishqyrtojnë si do të implementojë këtë Rregullore. Unë mund të them që kërkesë e SHBA-së është që kjo të shtyhet. Ka shumë punë për t’u bërë deri në implementimin e saj. Qeveria ka folur për një periudhë transicioni dhe ne shpresojmë që ky transicion t’i marrë parasysh shqetësimet për këtë çështje. Ne besojmë që Qeveria do të pajtohet me neve në këtë çështje. Nëse ajo vendos ndryshe, atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”- ka thënë ai.

Javën e kaluar, Hovenier ka deklaruar se SHBA e kundërshton zbatimin e Rregullores për valutën.

Ai u shpreh i shqetësuar se Kosova mund të përballet me tensione të reja në veri.

SHBA-ja shqetësohet për tensione të reja në veri, shkak rregullorja e BQK-së për dinarin

Sipas Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me paratë e gatshme, e cila hyri në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

Lidhur me këtë çështje, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës u “vizitua” nga ambasadori i BE-së në Kosovë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje.

Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai.

Ismaili, ka shpjeguar Rregulloren e re për operacionet me para të gatshme.

Guvernatori tha se kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.

Ai tha se qytetarët serbë në Kosovë mund të pranojnë para në valutën euro nga Serbia në llogaritë e tyre bankare.

“Kjo Rregullore e ka rregullu ‘cash’-in dhe kush ka të drejtë të importojë. Rregullorja nuk e ndalon transferin e mjeteve. Nëse institucionet e Serbisë dëshirojnë me transferu mjete në Kosovë janë të lejuara në një llogari bankare pa kufizim. Çdo qytetar i Kosovës, duke përfshirë serbët, mundet me pranu para në euro nga Serbia dhe e gjithë bota. Ata kanë llogari bankare sepse pranojnë pensione dhe ndihma nga Kosova. Në të njëjtën llogari mund të marrin edhe ndihmat nga Serbia”- tha guvernatori i BQK-së.

Guvernatori shpjegoi se qytetarët mund të mbajnë ‘cash’ si kursime apo edhe për nevoja të tjera të tyre, por ato nuk mund të përdoren si mjet pagese.

Gjithashtu Ismaili tha se Rregullorja e re ka përcaktuar mënyrën e importit të parave në Kosovë.

Ky vendim për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

DASH-i thotë se ky vendim ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”- thekson DASH.

Kurse KE thotë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera”- ka deklaruar zëdhënësi Eric Mamer.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Mbi 200 milionë euro (në dinarë serbë) kanë hyrë në Kosovë nga Serbia në vitin 2023, ka thënë guvernatori Ismaili.