Pagesa e dyshimtë për Komunën e Mitrovicës së Veriut me vendim të ish-ministres, Adrijana Hoxhiq

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, gjatë vitit 2019, e ka paguar një faturë prej rrerh 20 mijë euro për Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se kjo pagesë është bërë me vendim të ish-ministres, Adrijana Hoxhiq. Vendimi i ministres, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit është jashtë kompetencës së ministrisë.

“Me datën 25.06.2019, Komuna e Mitrovicës së Veriut i është drejtuar me kërkesë MAPL-së për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për Kompaninë Rajonale KRU Mitrovica. Me datën 25.06.2019, ministrja nxjerr vendimin duke e aprovuar kërkesën e komunës për ndarjen e 20,000€, nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime. Më tutje, në po të njëjtën datë nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për KRU Mitrovica nga Ministrja e MAPL-së dhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, në vlerë 20,000€”, thuhet në shpjegimet e bëra nga ZAP-i.

Tutje, Auditori thotë se në nenin 3 të kësaj marrëveshje pagesat nga MAPL do të bëhen në bazë të faturës së shpenzimit të energjisë elektrike për KRU Mitrovica, që është jashtë kompetencës së ministrisë.

“Duke u bazuar në kompetencat që i ka të përcaktuara kjo ministri, nuk i takon të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike të Kompanisë Rajonale KRU Mitrovica. Më tutje, buxheti i paraparë me ndarje buxhetore i MAPL-së për përkrahjen e komunave bëhet nga kategoria ekonomike investime kapitale dhe jo nga kategoria mallra dhe shërbime…”, vazhdon më tej e gjetura e raportit.

Por Auditori ka gjetur se komuna në fakt nuk e kishte paguar faturën e energjisë, siç ishte paraparë në marrëveshje, mirëpo ishin paguar faturat e ujit të lëshuara nga KRU Mitrovica.

“Faturat e ujit ishin për muajin dhjetor 2013 dhe dy për shkurt dhe mars të vitit 2014. MAPL kishte paguar kompaninë e ujit nga kodi ekonomik shërbime kontraktuese tjera në vlerë 19,523€, meqenëse mjetet për të mbuluar këtë marrëveshje nuk ishin buxhetuar fare. Mjetet ishin marrë nga projekti “Ofrimi i shërbimeve profesionale në implementimin e projekteve kapitale”, i cili nuk ishte realizuar.

Sipas arsyetimit të ministrisë, asistenca financiare ndaj KRU Mitrovica kishte për qëllim përkrahjen e qytetarëve të komunës për tu qasur në ujë të pijes si një e drejtë e garantuar.

Auditori tregon se sipas Rregullores së Qeverisë Nr. 02/2011 për Fushat dhe Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka një numër të caktuar të kompetencave, të qarta dhe konkrete, për përkrahjen e komunave në fusha të ndryshme të administrimit të pushtetit lokal. Ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si përfaqësuese e aksionarit të Ndërmarrjeve Publike, ndan subvencione për përkrahjen e Ndërmarrjeve qendrore dhe regjionale varësisht nga nevojat e tyre.

Në raport thuhet se lidhja e marrëveshjes së mirëkuptimit me Komunën për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për KRU Mitrovicën është jashtë kompetencave/fushëveprimit të kësaj ministrie. Më tej, realizimi i pagesës nga një buxhet i paplanifikuar dhe jo në bazë të marrëveshjes ndikon në procedimin e pagesave të parregullta.

Kreut të MAPL-së iu rekomandua që marrëveshjet e mirëkuptimit të lidhen përbrenda kompetencave.

“Ministri të siguroj se marrëveshjet e mirëkuptimit të cilat lidhen për financimin e organizatave tjera buxhetore të bëhen brenda kompetencave të parapara ligjore dhe përmes kategorive ekonomike në të cilat buxhetohen fonde për këto qëllime. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve, të respektohen në plotësi kushtet e saj në mënyrë që të evitohen pagesat e parregullta”, rekomandon Auditori.