LVV në Prishtinë e konsideron të paligjshme seancën e miratimit të buxhetit

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës e ka vlerësuar si joligjore dhe të parregullt seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në të cilën u miratua buxheti i Kryeqytetit për vitin 2024.

Buxheti i Prishtinës për vitin 2024 do jetë 123 milionë e 700 mijë euro.

Përmes një komunikate për media, LVV bën të ditur se nuk kanë marr pjesë në seancë për shkak të paqartësive ligjore.

“Edhe kjo seancë, si disa tjera më herët, kontestohet dhe nuk pranohet nga MAPL si organ që me Kushtetutë është përgjegjës për mbarvajtjen e punëve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga niveli komunal”- thuhet nga LVV-dega Prishtinë.

Tutje, në komunikatë theksohet se ky buxhet është kontestuar edhe nga organizata të shoqërisë civile dhe se shërben për partitë në pushtet.

“Ky buxhet i miratuar sot, i kontestuar ligjërisht edhe nga organizata të shoqërisë civile, i kontrabanduar në seancë të jashtëzakonshme e të paligjshme, është në fakt buxhet për partitë në pushtet, LDK e PDK, për klientelen e tyre, jo për zhvillim, jo për Prishtinën”- thuhet tutje në reagim.

LVV ka shtuar se janë të bindur së shpejt do dëshmohet mos respekimi i organeve mbikqyrëse.

“Këto veprime të koalicionit aktual qeverisës, injorimi dhe mos respektimi i vendimeve të organeve mbikqyrëse përveç se janë të papranueshme do të shkaktojnë dëm të pariparueshëm në zhvillimin e qytetit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Jemi të bindur se kjo do të dëshmohet shumë shpejt”.

LVV ka kërkuar nga organet përgjegjëse të të gjitha niveleve, veprime konkrete e emergjente në, sipas tyre, kthimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës.

Grupi i asamblistëve të LVV-së dhe AAK-së në kuvendin komunal kanë bojkotuar edhe seancën e rregullt më 4 shtator pasi konsiderojnë se zgjedhja e kryesuesit të ri ka qenë jo legjitime.

Kuvendi Komunal i Prishtinës në qershor të këtij viti kishte shkarkuar kryesuesin e deriatëhershëm Fehmi Kupinën, i cili u shkarkua pas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky vendim i komunës u konsiderua pa bazë ligjore në një opinion të Ministrisë së Pushtetit Lokal, me arsyetimin se vendimi ishte marr pasi kryesuesi kishte mbyllur seancën.

Derisa, kryetari Përparim Rama ka deklaruar se mbledhja nuk është mbyllur nga ana e kryesuesit, sipas tij, ky i fundit vetëm e ka braktisur atë bashkë me një pjesë të opozitës.

Komuna në anën tjetër, procedoj më tej zgjedhjen e kryesuesit të ri në muajin korrik, Pëllumb Bajqinovci.

LVV në Prishtinë këto veprime po i konsideron si garë politikë mes kryetarit Përparim Rama dhe MAPL-së.

Buxheti i Prishtinës për vitin 2024 pritet të jetë 123 milionë euro