Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacollit i anulohet leja që të aterojë në Prishtinë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli është deklaruar përsëri lidhur më fluturimin e tij nga Zvicra në Kosovë, pasi që po i ndalohet kthimi me aeroplanin e tij privat.

Pacolli anulimin e lejes së uljes në aeroportin e Prishtinës e ka quajtur privim i të drejtës për të lëvizur.

“Anulimi i lejes së uljes në aeroportin e Prishtinës për aeroplanin tim është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës sime për të lëvizur”, ka shkruar ish-kryediplomati në rrjetin social “Facebook”.

Minuta më parë, Pacolli u deklarua se mënyrë primitive dhe diktatoriale po pengohet kthimi, pasi që Qeveria dje deklaroi se Pacolli si çdo qytetar tjetër duhet të futet në karantinë për 14 ditë në konvikte.

Pacolli ka deklaruar se nën asistencë shëndetësore për dy muaj ai me familjen e tij janë në karantinë në shtetin zviceran.

Ai thotë se dëshiron që të kthehet në mënyrë që ta vazhdojë veprimtarinë e tij parlamentare në kohën kur LDK po kërkon parti për të lidhur koalicionin qeverisës për ekzekutivin e ri.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia deklaroi se Pacolli duhet të futet në karantinë për 14 ditë pas kthimit në Kosovë, ashtu sikurse çdo qytetar tjetër në Qendrën e Studenteve në kryeqytet. Gjithashtu edhe Ministria e Infrastrukturës, dje i kishte dhënë lejen që Pacolli të kthehet në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Pacolli: Qeveria për të cilën e votova kundër rrëzimit po më pengon të kthehem në Kosovë