Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli reagon pas lajmit se ai do të shpërndajë vaksina falas për votuesit e tij

Kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas një lajmi të shpërndarë në mediat online se ai do të sigurojë vaksina kundër COVID-19, falas për votuesit e tij.

Pacolli përmes një postimi në facebook e ka demantuar lajmin duke thënë se tendeca të tilla janë shqetësuese.

“Qeveria e ardhshme, ku AKR synon të jetë, e ka obligim të sigurojë vaksina për të gjithë qytetarët e Kosovës, por pa kurrfarë dallimi se ku e hedhin votën ata. Sa u përket tendencave të tilla të liga me të vërtetë janë shqetësuese, kur dihet se nuk janë thjesht papërgjegjësi sporadike, por të mirëorganizuara dhe me qëllimin për ta dëmtuar figurën time e AKR-në”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social facebook.

FOTO: Behgjet Pacolli

 

Postimi i plotë i Behgjet Pacolli:

Lufta e njohur tashmë e Lajmeve të Rreme (Fake News) ka filluar edhe kundër meje. Pseudoportale nëpër rrjete sociale kanë shpërndarë një lajm se kinse unë do sigurojë vaksina për ata që do të votojnë për mua. Kjo është e PAVËRTETË.

Qeveria e ardhshme, ku AKR synon të jetë, e ka obligim të sigurojë vaksina për të gjithë qytetarët e Kosovës, por pa kurrfarë dallimi se ku e hedhin votën ata.

Sa u përket tendencave të tilla të liga me të vërtetë janë shqetësuese, kur dihet se nuk janë thjesht papërgjegjësi sporadike, por të mirëorganizuara dhe me qëllimin për ta dëmtuar figurën time e AKR-në.
Megjithëse kjo fushatë është e rrezikshme, do të jetë e kotë, sepse vetëdija e qytetarëve kosovarë është shumë e lartë për t’u manipuluar nga tentativa të tilla të ndyta.

Fitorja e SHTETndërtuesve nuk ndalet dot.