Presidentja Vjosa Osmani në takim me kryeministrin holandez Mark Rutte në Granada

Osmani takon kryeministrit holandez, kërkon që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e saj terrorist

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka biseduar me kryeministrin e Holandës Mark Rutte në Granada të Spanjës rreth situatës së sigurisë në Kosovë.

Ajo i ka bërë të ditur kryeministrit holandez nevojën për ta mbajtur Serbinë llogaridhënëse për sulmin terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

“Theksova domodoshmërinë për ta mbajtur Serbinë të përgjegjshme për aktin e saj terrorist dhe aktin e agresionit ndaj Kosovës që përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë në të gjithë regjionin” – ka shkruar presidentja në profilin e saj në rrjetin social X.

 

Në anën tjetër, Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar të zhvilloj ndonjë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Granada të Spanjës, para se të vendosen sanksione ndaj Serbisë.

Por, ajo është takuar me homologun e saj francez Emmanuel Macron, të cilit po ashtu i ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të datës 24 shtator.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të vendosen masa ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

3 pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar të martën në Beograd, e është liruar të mërkurën.

Autoritet në Kosovë pretendojnë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga SHBA-të, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.