Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron. Foto: Vjosa Osmani/Twitter

Osmani në takim me Macron: Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e saj të agresionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, në Granada të Spanjës. 

Në këtë takim, dy presidentët kanë diksutuar mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm.

“Theksova rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës sonë” – ka shkruar Osmani në platformën X. 

Më 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit u krye një sulm terrorsit që la të vrarë një pjestarë të Policisë së Kosovës, rreshterin Afrim Bunjaku.

Që nga ajo ditë, zyrtarë policorë janë duke vazhduar të monitorojnë situatën në këtë zonë e madje edhe janë duke i vazhduar hetimet policore me qëllim të zbardhjes së sa më shumë detajeve e gjetjes së dëshmive të tjera për këtë rast.

Në pjesën ku u sulmua policia e edhe në zonën afër Manastrit të Banjskës ditët e para qëndruan Njësitë Speciale Operative, e këto njësi pas qetësimit të situatës dhe uljes së rrezikshmërisë tash e tri ditë janë zëvendësuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist që ndodhi në këtë fshat e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ai bashkë me pjestarë të tjerë të grupit pas sulmit që kryen ikën në drejtim të Serbisë.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ky grup ka më shumë se 90 pjesëtarë, ku sipas policisë deri më tani janë identifikuar më shumë se 30 prej tyre.

Disa pjesëtarë të këtij grupi u arrestuan, e tre të tjerë u vranë nga PK si kundërpërgjigje e policisë ndaj sulmit.

Radoiçiq u ndalua nga organet e drejtësisë në Serbi. Prokuroria e Lartë në Beograd kërkoi nga ana e gjykatës që ndaj tij të vendoset masa e paraburgimit.

Mirëpo, diçka e tillë nuk ndodhi. Gjykata në Beograd e liroi atë nga ndalimi e ndaj tij mori disa vendime, përfshirë këtu edhe ndalimin për të hyrë në Kosovë.

Nga veprimet hetimore që u kryen nga PK u gjet një arsenal i madh armatimi në zonën e Banjskës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës e PK-së një pjesë e armëve që u sekuestruan u gjetën në Zveçan janë të prodhuara në Serbi, madje në mesin e tyre ka edhe predha të prodhuara në vitin 2023.

Një version tjetër për këto armë pati Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila e akuzoi Radoiçiqin se nga janari i këtij vitit e deri në shtator bleu armë nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Ramo Isak, ka thënë se do t’i hetojnë pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se armët e përdorura në sulmin terrorist janë blerë nga vendi i tij, përkatësisht qyteti i Tuzles.

Isak në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ende nuk e di “nëse pretendimet për blerjen e pretenduar të armëve në territorin e Bosnjë-Hercegovinës janë të vërteta”.

Ai ka thënë se për vërtetimin e këtyre pretendimeve është paraqitur kërkesa për hetim.