Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria, bashkë në ditë të vështira e në ditë të mira

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Me këtë rast, Osmani postoi në rrjete sociale disa fotografi të takimit me homologun e saj.

“Kosova dhe Shqipëria, bashkë në ditë të vështira e në ditë të mira!”, ishte përshkrimi që Osmani u dha fotografive të postuara.

Vizita e Presidentit të Shqipërisë në Kosovë filloi më 11.06.2024 kur me pesidenten kosovare vizituan sheshet e kryeqytetit dhe parkun e Gërmisë.

Për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës më 10.06.2024, Kosovën e vizitoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Për shënimin e përvjetorit të lirisë, në Kuvendin e Kosovës, më 10.06.2024, u organizua një seancë solemne, ku i ftuar ishte ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili vlerësohet si njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, krahas ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Blair tha para deputetëve se “bombardimet e NATO-s, 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë”.

“Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë për këtë”- u shpreh Blair.

Kosova, një çerek shekulli e lirë