Osmani: Një pjesë e buxhetit të Ministrisë i ka kaluar KPK-së për rritjen e numrit të prokurorëve për krimet e luftës

Në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për administratën e sistemit të drejtësisë po diskutohet për menaxhimin e resurseve njerëzore në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe për mungesën e vazhdueshme të buxhetit.

Ruzhdi Osmani, drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në Ministrinë e Drejtësisë, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave të saj vazhdimisht është angazhuar në avancimin e reformave në sektorin e drejtësisë.

Sipas Osmanit, Ministria e Drejtësisë është duke krijuar politika që gjendja të shkojë duke u përmirësuar vit pas viti.

Osmani ka thënë se edhe Ministria e Drejtësisë ka pasur shkurtime buxhetore por që përkundër kësaj Ministria ka ndarë një pjesë të buxhetit të saj për të ndihmuar Këshillin Prokurorial për rritjen e numrit të prokurorëve për krime të luftës.

“Buxheti i MD-së një pjesë i ka kalu Këshillit Prokurorial, pastaj Prokurorisë Speciale për rritjen e numrit të prokurorëve për krime të luftës”, ka thënë Osmani.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Valdrin Krasniqi, i cili ka thënë se Ministria e Drejtësisë u ka ofruar përkrahje edhe në rritjen e pozitave në Departamentin për krime të luftës.

“Ministria e Drejtësisë na ka ftuar në takim dhe na ka kërkuar informata se ku munden ata me na ndihmu por theksi i veçantë ka qenë te krimet e luftës dhe si pasojë e ndihmës nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nga 201 pozita që kanë qenë të lejuara për prokuror na janë rritur në 205, katër prokurorë më tepër që janë dedikim për Departamentin e krimeve të luftës dhe stafin mbështetës sa i përket krimeve të luftës”, ka deklaruar Valdrin Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Lidhur me mungesën e vazhdueshme të buxhetit dhe mosaprovimit të plotë të kërkesave buxhetore për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, Osmani ka thënë se Ministria e Drejtësisë çdo herë është duke lobuar që buxheti për KGJK dhe KPK të rritet.

“Ne lobojmë që buxheti çdo herë të rritet mirëpo siç e dini sipas legjislacionit në fuqi propozimet buxhetore bëhen drejtpërdrejt në Ministrinë e Financave. Dita ditës, gjendja do të jetë çdo herë e më e mirë”, tha Osmani.

Osmani përmendi nismën për hartimin e koncept- dokumentit për nëpunësit civilë të gjykatave dhe prokurorive, për çka tha se qëllimi i këtij koncept-dokumenti është përmirësimi i politikës aktuale për rregullimin e statusit civil të gjykatave dhe prokurorive që do të ketë për synim krijimin e një administrate sa më efikase e profesionale që do t’i kontribuojë fuqishëm sistemit të drejtësisë.

“Orientimi ynë është që të bëhet një ligj i veçantë për administratën gjyqësore dhe prokuroriale, në këtë ligj do të përfshihen edhe stafi i Akademisë së Drejtësisë, mirëpo ne tanimë jemi në fazën e koncept-dokumentit dhe jemi duke lobuar që ky propozim të pranohet edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak se është në interes të stafit civil që të ngriten kapacitetet dhe kjo do të bëjë të mundshme rregullimin e statusit juridik në mënyrë të mirëfilltë të stafit civil të gjykatave dhe prokurorive”, tha Osmani.

Gjatë këtij diskutimi është vënë në pah mungesa e theksuar e stafit mbështetës dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

Përfaqësuesit e KGJK dhe KPK kanë deklaruar se Këshillave asnjëherë nuk u janë aprovuar në tërësi kërkesat buxhetore.

Analizën e detajuar rreth menaxhimit të resurseve njerëzore në KGJK dhe KPK mund ta lexoni duke klikuar në këtë link: https://kallxo.com/gjate/pavaresia-financiare-e-cunguar-e-keshillit-gjyqesor-dhe-prokurorial-te-kosoves/

Lidhur me mosaprovimin e kërkesës së KPK-së për ekspert ushtarak, ka reaguar Ministria e Drejtësisë, e cila ka ofruar një sqarim, të cilin KALLXO.com e publikon të plotë:

Sqarim për opinionin publik lidhur me artikullin e publikuar që Qeveria nuk ka aprovuar kërkesën e KPK-së për ekspertin ushtarak

Duke pasur parasysh që një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është edhe adresimi i krimeve të luftës, për herë të parë, brenda muajve të parë qeverisës, me rishqyrtimin e buxhetit të vitit të kaluar, është ndarë buxheti për shtimin e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale, në departamentin për adresimin e krimeve të luftës. Janë ndarë buxhet shtesë për 4 prokurorë shtesë, 6 bashkëpunëtorë profesional si dhe 2 përkthyes. Fatkeqësisht edhe përkundër shtimit të buxhetit ende ky staf nuk është shtuar mirëpo për këtë është përgjegjës KPK dhe PS.

Po ashtu, me buxhetin për këtë vit është ndarë buxhet shtesë për 50 pozita të reja në sistemin prokurorial.

Këshilli Prokurorial është i mandatuar për të bërë prioritizimin e çështjeve dhe hapjen e pozitave varësisht nga prioritetet.

Është e papranueshme që për këtë të fajësohet Qeveria. Ne e kemi trashëguar një situatë të rëndë sa i përket mungesës së kapaciteteve njerëzore në sistemin e drejtësisë dhe po përpiqemi që brenda mandatit, për çdo vit të shtojmë buxhetin në sistemin e drejtësisë me qëllim të realizimit të objektivave.