Foto: Ilustrim

Pavarësia financiare e cunguar e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës

Mungesa e stafit administrativ në sistemin e drejtësisë është njëra nga arsyet e dështimit të sistemit. 

Ndër vite, politikanë e udhëheqës të sistemit të drejtësisë janë lëvduar se kanë rritur numrin e gjykatësve mirëpo të dhënat tregojnë që rritja e numrit të gjykatësve është bërë në shpërputhje me rritjen e stafit mbështetës.

Në vitin 2015, për një gjykatës në vend punonin si staf administrativ mesatarisht 4.1 persona. Këta ishin të angazhuar në sigurim, administrim e punë të tjera administrative të gjykatave. Të dhënat tregojnë që gjyqësori nuk arriti të mbajë këtë mesatare pasi në vitin 2021 mesatarisht për një gjykatës punojnë vetëm 3.8 persona. 

Situata nuk është e njëjtë në prokurori, ku mesatarisht për një prokuror u rrit stafi administrativ. Aktualisht për një prokuror punojnë përafërsisht 2.8 persona. 

Të dhënat tregojnë që Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial asnjëherë nuk i janë aprovuar në tërësi kërkesat për staf mbështetës.

Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor janë dy institucionet të cilat kritikohen më së shumti kur vjen puna tek mungesa e rezultateve pozitive, dështimi në zbardhjen e krimeve e dënimit të korrupsionit.

E janë pikërisht këto institucione të cilat vazhdimisht janë ankuar e kanë ngritur zërin për mungesën e buxhetit, që rrjedhimisht ka dërguar në mungesë të resurseve humane për arritjen e rezultateve të kërkuara.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Duke u bazuar në të dhënat e hapura është pasqyruar efikasiteti i sistemit prokurorial dhe gjyqësor duke u bazuar në resurset humane.

Resurset humane në sistemin gjyqësor

Të dhënat nga sistemi gjyqësor i Kosovës tregojnë se numri i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nëpër gjykata, vit pas viti ka shkuar duke u rritur, mirëpo asnjëherë në tërësi nuk është përmbushur kërkesa e Këshillit Gjyqësor lidhur me kërkesat buxhetore. Kjo gjë e ka pamundësuar përmbushjen e kërkesave për mungesë të resurseve humane.

Në vitin 2015 në gjykatat e Kosovës gjithse 343 gjyqtarë kanë zgjidhur lëndë.

Prej tyre, 14 kanë qenë të angazhuar në Gjykatën Supreme, 13 në dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme, 38 në Gjykatën e Apelit si dhe 278 në gjykatat themelore.

Vitin 2015, sistemi gjyqësor punën e kishte filluar me 1441 staf mbështetës për 343 gjyqtarët e gjykatave të Kosovës.

Mirëpo nëse i krahasojmë këto të dhëna tani, atëherë kuptojmë se gjendja nuk është se ka ndryshuar shumë për plot gjashtë vite.

Nga 343 gjyqtarë sa ishin në vitin 2015, pas gjashtë viteve, në vitin 2021 gjykatave tona ju shtuan 53 gjyqtarë, duke çuar në total numrin e gjyqtarëve në 396.

Stafi mbështetës nga 1441 në vitin 2015, është shtuar në 1515 në vitin 2021.

Por nëse i analizojmë me kujdes të dhënat atëherë rezulton se në vitin 2015 për një gjyqtar kanë punuar përafërsisht 4.2 persona, ndërsa në vitin 2021, numri është ulur në 3.8. 

Prej vitit 2015 deri në vitin 2019, pra për këto katër vite, Gjykatës së Apelit i janë shtuar 33 gjyqtarë.

Për periudhën raportuese 2015-2021, nga të dhënat e analizuara vërehet që numri i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të gjykatave, është ngritur ndjeshëm në vitin 2018.

Në vitin 2015, gjykatat kanë pasur 343 gjyqtarë dhe 1441 staf mbështetës, në vitin 2016 numri i gjyqtarëve u zvogëlua në 322, ndërsa numri i stafit mbështetës ka mbetur i njëjtë 1441. Në vitin 2017 gjykatat numëruan 317, numri i stafit mbështetës mbeti i pandryshuar nga vitet paraprake. Kurse viti 2018, shënon vitin ku gjykatave tona ju shtua numri më i madh i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës. Në vitin 2018, gjykatat numëruan 352 gjyqtarë dhe numri i stafit u rrit në 1613.

Viti 2019, gjykatat i gjeti me 422 gjyqtarë e 1515 staf mbështetës. Numri i gjyqtarëve për vitin 2020 u zvogëlua në raport me vitin pasues, në total 417, kurse numri i stafit mbështetës mbeti i pandryshuar.

Në vitin 2021, gjykatat funksionuan me 396 gjyqtarë e 1515 staf mbështetës.

Sa i përket punonjësve të sigurimit, Këshilli Gjyqësor momentalisht ka të angazhuar 190 punëtorë të sigurimit. 

Numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit

Në viti 2015 departamenti i përgjithshëm, për krime të rënda dhe për kundërvajtje në Gjykatën e Apelit ka pasur 38 gjyqtarë. Në vitin 2016, kësaj gjykatë i janë shtuar edhe katër gjyqtarë, pra janë bërë 38 gjyqtarë. Ndërsa në vitin 2017, kjo gjykatë ka mbetur me 36 gjyqtarë. Në vitin 2018, e shohim se numri është rritur ndjeshëm, nga 38 në vitin 2015, në 41 gjyqtarë në vitin 2018, si dhe në vitin 2019, Gjykata e Apelit ka numëruar në total 51 gjyqtarë.

Resurset humane në sistemin prokurorial

Ndonëse me Ligjin për Prokurorin e Shtetit është fare e qartë e përcaktuar se çdo prokuror për kryerjen e përgjegjësive të tyre duhet të ketë së paku nga një bashkëpunëtor profesional, në praktikë një e gjë e tillë nuk korrespondon.

Aktualisht në sistemin prokurorial janë 91 bashkëpunëtorë profesional të cilët u shërbejnë 176 prokurorëve.

Vitin 2015, sistemi prokurorial e filloi me 144 prokurorë e 334 staf mbështetës.

Pra në vitin 2015, për një prokuror kanë punuar 2.31 persona. 

Numër ky i cili në vitin 2016 u rrit në 166, ndërsa numri i stafit mbështetës ishte 335.

Në vitin 2017 në sistemin prokurorial ishin të angazhuar 171 prokurorë që punuan me 375 staf mbështetës.

Në vitin pasardhës, në 2018, prokuroritë e Kosovës punuan me 183 prokurorë e 444 staf mbështetës.

Në vitin 2019 kishte shtim të gjashtë prokurorëve, pra numri total ishte 189, kurse staf mbështetës ishin 476.

182 prokurorë e 479 staf mbështetës numëroi Këshilli Prokurorial në vitin 2020, numër ky i cili për vitin 2021 u zvogëlua në 173 prokurorë, por u rrit në staf mbështetës, duke çuar numrin në 491.

Vitin 2022, sistemi prokurorial e ka filluar me 169 prokurorë e 489 staf mbështetës.

Pra gjendja rezulton të jetë pothuajse e njejtë, pa ndonjë ndryshim.

Pasi që në bazë të analizimit të të dhënave rezulton se në vitin 2015, përafërsisht për një prokuror kanë punuar 2.31 persona, ndërsa në vitin 2022 për një prokuror i bie të punojnë 2.89 persona.

Në bazë të të dhënave të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës rezulton se në të gjitha prokuroritë e vendit janë të angazhuar vetëm 6 ekspertë financiarë. 

Aktualisht KPK ka vetëm 8 punonjës të sigurimit. Përveç këtyre 8 punonjësve të sigurimit, pas skadimit të kontratave të kompanive të sigurimit për objektet e prokurorive, deri në realizimin e procedurave të tenderimit, sigurimin e objekteve të prokurorive është duke e bërë Policia e Kosovës.

Mungesa e vazhdueshme e buxhetit

Ndonëse Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës vazhdimisht kanë pasur kërkesa për rritje të stafit mbështetës të gjykatave dhe prokurorive, kërkesat e dy këshillave asnjëherë nuk janë përfillur në tërësi.

Ngarkesa e madhe me lëndë si dhe zvarritja e lëndëve si shkak i mungesës së theksuar të burimeve njerëzore, kanë qenë një nga arsyetimet kryesore për mosefikasitet të punës së dy këshillave.

Një pengesë e tillë ka çuar në ndikim të drejtpërdrejtë të shkeljes së të drejtave të qytetarëve për një gjykim të drejtë e në kohë të arsyeshme, që është një nga parimet kryesore të të drejtave të njeriut.

Përderisa secili ministër ka dy zëvëndësministra e për secilin nga ta të paktën nga një këshilltar, secili nga gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës ende nuk e ka një bashkëpunëtor profesional, e aq më pak, ekspert financiar apo të ndonjë lëmie tjetër.

Buxheti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Buxheti për Këshillin Gjyqësor të Kosovës vazhdimisht është rritur, mirëpo kërkesat e plota të këtij institucioni asnjëherë nuk janë aprovuar.

Një gjë e tillë është arritur të vërtetohet nga të dhënat të cilat i kemi pranuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në vitin 2016, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte kërkuar 23 milionë e 834 mijë e 283 euro, mirëpo u ishte aprovuar vlera e buxhetit prej 20 milionë e 465 mijë e 770 eurove.

Në vitin 2017, KGjK-së i ishte aprovuar një milion euro shtesë, shuma prej 21 milionë e 797 mijë e 640 euro. Ndërsa kërkesa buxhetore kishte qenë për 27 milionë e 278 mijë e 77 eurove.

Edhe në vitin 2018, KGjK kishte kërkuar më shumë buxhet mirëpo edhe pse kërkesa kishte qenë në vlerën prej 24 milionë e 810 mijë e 192 eurove, atyre iu aprovua buxheti në vlerë prej 23 milionë e 495 mijë e 24 eurove.

Për vitin 2019, KGjK kërkoi buxhetin prej 33 milionë e 356 mijë e 16 eurove, por iu aprovua buxheti prej 29 milionë e 404 mijë e 466 eurove.

Në vitin 2020, KGjK-së buxheti i është rritur në 29 milionë e 821 mijë e 540 euro, mirëpo as këtë vit nuk është përmbushur kërkesa buxhetore e KGjK-së, e cila kishte qenë 35 milionë e 471 mijë e 334 eurove.

Në vitin 2021, KGjK-së iu aprovua buxhet më i vogël se sa në vitin 2020. 29 milionë e 194 mijë e 592 euro janë ndarë për këtë vit për KGjK-në, ndërsa kërkesa kishte qenë për 36 milionë e 294 mijë e 571 euro.

E për vitin e fundit, 2022, KGjK-ja kërkoi buxhet në vlerë prej 38 milionë e 623 mijë e 576 euro, ndërsa i është aprovuar shuma në vlerë 32 milionë e 183 mijë e 896 eurove.

Si rezultat i buxhetit të paaprovuar, KGjK-së në vazhdimësi nuk i janë përmbushur kërkesat për shtimin e punëtorëve.

Në vitin 2016, KGjK kishte kërkuar që t’i aprovohej buxheti për 2609 pozita, mirëpo buxheti i ishte aprovuar për pothuajse 400 pozita më pak, pra për 2159 pozita.

Për vitin 2017, KGjK kërkoi buxhet për 2580 pozita, mirëpo iu aprovua buxheti vetëm për 2159, njëjtë si në vitin paraprak.

Vetëm në vitin 2018, Këshillit Gjyqësor i ishte aprovuar në tërësi kërkesa buxhetore në raport me numrin e punonjësve të kërkuar. KGjK-së për vitin 2018 i ishte aprovuar në tërësi kërkesa buxhetore për 2271 pozita.

Për 2469 pozita sa kërkoi KGjK buxhet në vitin 2019, iu aprovua buxhet për 2289.

As në vitin 2019, KGjK-së nuk iu aprovua kërkesa buxhetore në raport me numrin e pozitave të kërkuara. Nga 2451 pozita sa ishte kërkuar buxhet, Këshillit Gjyqësor i janë  aprovuar vetëm 2113 pozita, pra shumë më pak se sa vitet e kaluara.

Në vitin 2021, Këshilli Gjyqësor kishte kërkuar buxhet për 2364 pozita, ndërsa i është aprovuar buxheti për 2177 pozita.

Fatkeqësisht as këtë vit KGjK-së nuk i është aprovuar buxheti i kërkuar për 2494 pozita të punës, por vetëm për 2271 pozita.

Buxheti i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës asnjëherë nuk i janë aprovuar në tërësi kërkesat buxhetore.

Në vitin 2015, KPK ka kërkuar buxhet në vlerë prej 9 milionë e 149 mijë e 355 euro, ndërsa i është aprovuar shuma në vlerë prej 6 milionë e 148 mijë e 488 eurove.

Në vitin 2016, KPK-ja kërkoi 9 milionë e 527 mijë e 66 euro, mirëpo iu aprovua shuma në vlerë të 8 milionë e 13 mijë e 619 eurove.

Kurse në vitin 2017, Këshilli Prokurorial kërkoi 12 milionë e 972 mijë e 299 euro ndërsa iu aprovuan 9 milionë e 483 mijë e 682 euro.

Në vitin 2018 KPK-së iu aprovua buxhet në vlerë prej 11 milionë e 92 mijë e 826 euro, ndërsa kishte kërkuar buxhet prej 13 milionë e 722 mijë e 501 eurove.

Krahasuar me vitin paraprak, për vitin 2019, KPK-së iu rrit buxheti përafërsisht 3 milionë euro, që në total përfshiu vlerën prej 14 milionë e 170 mijë e 65 eurove, nga 15 milionë e 670 mijë e 578 euro sa kishin kërkuar.

Për vitin 2020, KPK kishte buxhet në vlerë prej 15 milionë e 21 mijë e 835 euro, por që kërkesa kishte qenë për 18 milionë e 357 mijë e 969 euro.

Në 2021-tën KPK-së iu zvogëlua buxheti për rreth një milion euro, duke iu aprovuar kërkesa buxhetore prej 14 milionë e 441 mijë e 528 eurove, kundrejt kërkesës prej 18 milionë e 255 mijë e 706 eurove.

Për këtë vit, KPK ka buxhet në vlerë prej 17 milionë e 144 mijë e 178 eurove, ndërsa kërkesa kishte qenë 21 milionë e 697 mijë e 194 euro.

Rritja e pagave për gjyqtarët e prokurorët dhe greva e punonjësve të administratës

Përkundër se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet respektive të Këshillave, pavarësia financiare e KGjK-së dhe KPK-së nuk do të duhej as të diskutohej, në praktikë rezulton se ende propozimet për buxhet të KGjK-së dhe KPK-së, kalojnë përmes Ministrisë së Financave drejt Kuvendit të Kosovës, dhe se kërkesat buxhetore të Këshillave nuk  përmbushen.

Rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët dhe arsyetimi se sistemit të drejtësisë i është ofruar mbështetja e nevojshme financiare për arritjen e rezultateve të mira në fushën e drejtësisë është vetëm njëra anë e medaljes, kjo për faktin se të dhënat pasqyrojnë fare mirë se sistemit gjyqësor dhe prokurorial asnjëherë nuk i janë përmbushur në tërësi kërkesat buxhetore.

E shumica e mjeteve të kërkuara nga KGjK e KPK që nuk janë aprovuar parashiheshin për paga dhe pozita të reja në këto dy institucione.

Ligji për Gjykatat e parasheh saktë se çdo gjyqtar duhet të ketë nga një bashkëpunëtor profesional me qëllim të arritjes së rezultateve të kërkuara.

Por përkundër kësaj, aktualisht numri i gjyqtarëve në gjykatat e Kosovës është 388, ndërsa  numri  i bashkëpunëtorëve profesional është 164, pra në vend që sistemi të ketë më shumë bashkëpunëtorë se sa gjyqtarë, aktualisht më shumë se gjysma e gjyqtarëve punojnë pa bashkëpunëtorë profesional.

Duke i pasur parasysh këto të dhëna, është lehtësisht e dallueshme se gjyqësorit dhe prokurorisë nuk u janë përmbushur nevojat e tyre. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është i mjaftueshëm por numri i stafit mbështetës është qartazi i pamjaftueshëm dhe rrjedhimisht, prokurorët janë pa staf mbështetës, pa ekspertë e bashkëpunëtorë profesionalë, e kjo në mënyrë direkte cenon dhe kushtëzon cilësinë e hetimeve që i bëjnë këta prokurorë.

Nga praktika e deritanishme e buxhetimit të sistemit të drejtësisë rezulton se përkundër që pavarësia financiare e sistemit gjyqësor dhe prokurorial është e garantuar, për t’u realizuar kjo në praktikë, duhet edhe vullneti politik, e ky vullnet nuk matet me fjalë, por me vepra. Me vepra, politika është siguruar që ta cungojë sistemin e drejtësisë, e jo ta forcojë.

Gjendja e shkaktuar jo më larg se muajin e kaluar, na ka sjellë në një situatë e cila bllokoi pothuajse në tërësi punën e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.

Punonjësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive në vend, me 1 mars vendosën që të hyjnë në grevë pasi një nga kërkesat e tyre ishte edhe përafrimi i pagave të stafit të administratave të gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kërkesat specifike kanë qenë: “Aprovimi i Ligjit për punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive duke u bazuar në projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtar Publik 06/L-114 neni 2 pika B. Përafrimi pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pagesa lineare nga 150 euro, për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Të paguhet shujta ditore në shumën prej 3 euro. Të paguhet pagesa e udhëtimit në shumën prej 3 euro”.

Greva e cila zgjati për 28 ditë me radhë, bëri që me qindra seanca gjyqësore të dështonin e që rrjedhimisht shkakton dyfishim të punëve gjë e cila nënkupton zvarritje edhe më të madhe të rasteve.

Greva u pezullua vetëm atëherë kur punonjësve të administratës së gjykatave dhe prokurorive iu premtua që për një kohë shumë të shkurtër do të fillojë puna në përpilimin e draft-dokumentit për hartimin e Ligjit të Veçantë për Punëtorët e Administratës së Gjykatave dhe Prokurorive.

Kjo nuk është hera e parë që kjo sindikatë me punëtorë kanë hyrë në grevë për të njëjtën arsye, rritjen e pagave.

Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2018.

Greva nuk është ndërprerë por vetëm është pezulluar dhe në rast të mospërmbushjes së kërkesave të punonjësve të administratës së gjykatave dhe prokurorive shumë lehtë mund të përsëritet përsëri një gjendje e tillë, e cila fatkeqësisht do të mund ta çonte sistemin e drejtësisë në një situatë kaotike nga ajo që tashmë është.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.