Qeveria Kurti nuk i aprovon Këshillit Prokurorial kërkesën për ekspert ushtarak

Në debatin për Administratën e Sistemit të Drejtësisë në emisionin e “Kallxo Përnime”, është diskutuar lidhur me menaxhimin e resurseve njerëzore në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës si dhe lidhur me mungesën e vazhdueshme të buxhetit.

Gjatë këtij diskutimi është vënë në pah mungesa e theksuar e stafit mbështetës dhe bashkëpunëtorëve profesional në gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

Përfaqësuesit e KGjK-së dhe KPK-së kanë deklaruar se këshillave asnjëherë nuk u janë aprovuar në tërësi kërkesat buxhetore.

Valdrin Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka deklaruar se KPK ka bërë kërkesë për ekspert ushtarak mirëpo një kërkesë e tillë nuk u është aprovuar.

“Në kërkesën që e kemi dërguar për këtë vit kemi kërkuar edhe ekspert ushtarak, ekspert për krime të luftës për shkak se kemi nevojë për ekspert të tillë të cilët kanë ekspertiza në këto fusha dhe nuk e kemi pasur përkrahjen. Ne kemi kërkuar në Prokurorinë Speciale të kemi bashkëpunëtor profesional për krimet te luftës, kemi kërkuar ekspert ushtarak si dhe kemi kërkuar mjete shtesë për sa i përket ekspertizave që kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe po ashtu vizita studimore në vendet post konfliktuoze që të shkojnë prokurorët të i marrin praktikat e tyre në ndjekjen e këtyre rasteve”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë këtij diskutimi është diskutuar edhe për mungesën e ekspertëve financiarë.

Aktualisht në të gjitha prokuroritë e vendit janë të angazhuar vetëm 6 ekspertë financiarë.

Në analizën e publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, është vënë në pah fakti se aktualisht në sistemin prokurorial janë 91 bashkëpunëtorë profesionalë të cilët u shërbejnë 176 prokurorëve.

Ndonëse me Ligjin për Prokurorin e Shtetit është fare e qartë e përcaktuar se çdo prokuror për kryerjen e përgjegjësive të tyre duhet të ketë së paku nga një bashkëpunëtor profesional, në praktikë një e gjë e tillë nuk korrespondon.

Në bazë të analizimit të të dhënave rezulton se në vitin 2015, përafërsisht për një prokuror kanë punuar 2.31 persona, ndërsa në vitin 2022 për një prokuror i bie të punojnë 2.89 persona.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkelzen Maliqi, në emisionin e “Kallxo Përnime” në debatin për Administratën e Sistemit të Drejtësisë, ka deklaruar se ndër vite as Këshillit Gjyqësor nuk i janë aprovuar kërkesat buxhetore.

Maliqi tha se përkundër që Ligji për Gjykatat kërkon që çdo gjyqtar të ketë të paktën një bashkëpunëtor profesional, një dispozitë e tillë asnjëherë nuk është arritur të respektohet për shkak të mungesës së përkrahjes financiare.

Analizën e detajuar rreth menaxhimit të resurseve njerëzore në KGjK dhe KPK mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK.

Lidhur me këtë artikull ka reaguar Ministria e Drejtësisë, e cila ka ofruar një sqarim, të cilin KALLXO.com e publikon të plotë:

Sqarim për opinionin publik lidhur me artikullin e publikuar që Qeveria nuk ka aprovuar kërkesën e KPK-së për ekspertin ushtarak

Duke pasur parasysh që një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është edhe adresimi i krimeve të luftës, për herë të parë, brenda muajve të parë qeverisës, me rishqyrtimin e buxhetit të vitit të kaluar, është ndarë buxheti për shtimin e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale, në departamentin për adresimin e krimeve të luftës. Janë ndarë buxhet shtesë për 4 prokurorë shtesë, 6 bashkëpunëtorë profesional si dhe 2 përkthyes. Fatkeqësisht edhe përkundër shtimit të buxhetit ende ky staf nuk është shtuar mirëpo për këtë është përgjegjës KPK dhe PS.

Po ashtu, me buxhetin për këtë vit është ndarë buxhet shtesë për 50 pozita të reja në sistemin prokurorial.

Këshilli Prokurorial është i mandatuar për të bërë prioritizimin e çështjeve dhe hapjen e pozitave varësisht nga prioritetet.

Është e papranueshme që për këtë të fajësohet Qeveria. Ne e kemi trashëguar një situatë të rëndë sa i përket mungesës së kapaciteteve njerëzore në sistemin e drejtësisë dhe po përpiqemi që brenda mandatit, për çdo vit të shtojmë buxhetin në sistemin e drejtësisë me qëllim të realizimit të objektivave.