Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe joeuropiane
Në një deklarim për media në Bruksel, para samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidentja Vjosa Osmani i cilësoi si të padrejta dhe joeuropiane masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës.
Këto masa – sipas presidentes Osmani – po e vendosin Kosovën në një situatë të palakmueshme dhe nga to po dënohet populli më proeuropian në botë.
Presidentja Osmani përmendi edhe mungesën e vullnetit politik dhe qëndrimet e disa shteteve për ta dënuar Kosovën “edhe pse politikat e saj janë në linjë me ato të BE-së”.
“Ka më shumë së dy vjet, që ne kemi dorëzuar aplikimin tonë. Për fat të keq, ende Komisioni nuk është mandatuar nga Këshilli. Mendoj që kur ka vullnet politik gjendet zgjidhja. Mirëpo, e shohim që ka një apetit te disa shtete, që Kosova vazhdimisht të dënohet, pavarësisht faktit që Kosova është shtet 100% i linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian.” – ka theksuar Presidentja.
Sipas Presidentes, vendet si Serbia, pavarësisht akteve të agresionit ndaj Kosovës, po ecin përpara.
Ajo kujtoi sulmin terrorist të kryer ndaj kanalit të ujit të “Ibër-Lepencit”, i cili u dëmtua nga një shpërthim, për të cilin autoritetet e Kosovës e mbajnë përgjegjës Serbinë.
Dëmtimi i kanalit të ujit rrezikonte të linte pa ujë dhe rrymë një pjesë të madhe të Kosovës.
Megjithatë, Presidentja tha se samiti si ky i sotmi BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për t’u takuar me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së dhe përmes këtyre takimeve të shpërfaqen edhe aspiratat për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian.
“Jemi sot në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, një samit që na jep mundësinë që të takohemi me shtetet anëtare të Bashkimit Europian, të shprehim jo vetëm aspiratën tonë për t’u anëtarësuar në BE, por të flasim edhe për sukseset e Republikës së Kosovës.” – tha tutje Presidentja.