Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Osmani flet për UÇK-në në median austriake: Jam e sigurt se drejtësia do triumfojë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të dhënë ditë më parë për median austriake Die Presse është pyetur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.

“Të hënën në Hagë nis gjykimi i paraardhësit tuaj Hashim Thaçi. Ai akuzohet për krime lufte së bashku me ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?”- është pyetur Osmani.

Lidhur me këtë, presidentja është shprehur se është e bindur se drejtësia do triumfojë.

Ajo shtoi se UÇK po mbronte njerëz të pambrojtur që po sulmoheshin nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë dhe se në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”- është shprehur Osmani.

Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisi më 3 prill. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën.