Foto: Presidenca e Finlandës

Osmani e ish-presidenti Sejdiu marrin pjesë në varrimin e Martti Ahtisaarit

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Finlandë për të marrë pjesë të premten në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari. Pjesëmarrës do të jetë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Në komunikatën e Presidencës bëhet e ditur se ftesa ka ardhur nga qeveria finlandeze.

“Presidentja Osmani krahas krerëve shtetëror nga vende të tjera të botës do të marrë pjesë në varrimin e ish-presidentit të  Finlandës dhe kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Në delegacionin shtetëror të Presidentes do të jetë edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu”- thuhet në komunikatë.

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur më 16 tetor, ndërsa funerali i tij do të mbahet më 10 nëntor.

Ahtisaari ka qenë presidenti i dhjetë i Finlandës, duke shërbyer nga marsi i vitit 1994 deri në shkurt të 2000-tës. Gjatë kësaj kohe Finlanda u bashkua me Bashkimin Evropian dhe kapërceu një recesion të rëndë ekonomik.

Pas largimit nga detyra si President i Republikës së Finlandës, Ahtisaari vazhdoi karrierën e tij në ndërmjetësimin ndërkombëtar të paqes dhe zgjidhjen e konflikteve dhe t’ua linte trashëgiminë dhe njohuritë e tij ndërmjetësuesve të ardhshëm të paqes.

Në nëntor të vitit 2005, ish-presidenti finlandez mori pozitën e të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Në atë vit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duke vepruar në bazë të konkluzioneve të Këshillit të Sigurimit se situata në Kosovë nuk ishte më e qëndrueshme, i kërkoi Marti Ahtisaarit të udhëheqë procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Vdes Maarti Ahtisaari