Opozita i reagon Sveçlës pas deklarimeve të tij për protestën e sotme

Mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së në Ligjin për pagën minimale dhe publikimi i audio-incizimeve në të cilat dëgjohet Mimoza Kusari Lila duke biseduar me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, kanë bërë që të thirret një protestë në Prishtinë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përkrahur këtë protestë pasi kërkesa e tyre për përfshirje në Ligjin për pagën minimale tash e sa kohë përsëritet.

Për këtë protestë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pati një reagim dhe lidhi protestën me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë” – thotë Sveçla.

“Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë” – tha ai.

Ky postim i ministrit bëri që krerët e dy partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e edhe Partia Demokratike e Kosovës të reagojnë.

“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë” – tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Tutje ai shtoi se “të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”.

“Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë. Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak” – shtoi Abdixhiku.

E i pari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se Qeveria po kërkon përplasje.

“Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj” – tha Krasniqi.

Tutje ai shtoi se veteranët kanë paralajmëruar protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim.

“Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla. Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile” – shtoi tutje kryetari i PDK-së.

Ai gjithashtu tha se kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, sipas tij e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.

“Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit. Ftoj veteranët dhe të gjithë pjesëmarrësit sot në protestë për vetëpërmbajtje dhe qetësi. Mos bini pre e këtij orkestrimi antikombëtar” – tha Krasniqi.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pushteti nuk është gjithçka.

“Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin” – ka shkruar Haradinaj.

Po ashtu, ai ia ka rikujtuar Kurtit se edhe ai i ka shfrytëzuar protestat si të drejta për vete.

“Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve. Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë” – ka shkruar më tej Haradinaj.

Derisa ka bërë të ditur se ai është me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës.

Në seancën e Kuvendit e cila u mbajt më 13 korrik pati edhe dhun fizike mes pozitës dhe opozitës. Ky rast është duke u hetuar edhe nga Porkuroria e Prishtinës.

Nga kjo prokurori të thirrur janë dy nga Partia Demokratike e Kosovës e dy të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje. Ministri i Financave, Hekuran Murati është ftuar si i dëmtuar për intervistim, ndërsa zv.kryeministri Besnik Bislimi si i dyshuar. Ndërsa nga PDK janë ftuar deputetët Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa.

Sveçla e lidhë protestën e veteranëve me luftën hibride nga Serbia