Sveçla e lidhë protestën e veteranëve me luftën hibride nga Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar disa orë para protestës së paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sveçla, përmes një reagimi në Facebook foli për luftën hibride të Serbisë në Kosovë.

“Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt” – tha Sveçla.

“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit” – ka vlerësuar ministri i MPB-së.

Ai ka përmendur edhe audio-incizimet e publikuara ditë më parë, ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë” – thotë Sveçla.

“Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë” – tha ai.

Postimi  i plotë: