Foto: REL

Nxirret vendim për mbrojtjen e "Djathit të Sharrit"

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se për herë të parë në Kosovë, ka nxjerrë vendim për mbrojtjen e një produkti vendor, “Djathi i Sharrit”, duke u bazuar në Ligjin Për Treguesit Gjeografik dhe Emërtimet e Origjinës.

“Fakti se “Djathi i Sharrit” është një prodhim unik i Rajonit të Sharrit dhe karakteristikave të kulturës, tokës dhe mjedisit që janë të lidhura me emërtimin, pas vendimit për ta mbrojtur si emërtim i origjinës e bën atë edhe krenari kombëtare” – thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, kjo mbrojtje ndihmon në identifikim të zonës unike që prodhon këtë produkt.

“Kjo mbrojtje kontribuon në identifikimin e zonës unike që prodhon një produkt të veçantë duke e dalluar nga djathërat e tjerë e poashtu promovon prodhimin vendor dhe traditën e gatimit të djathit në Kosovë, dhe i ndihmon konsumatorët në sigurinë e cilësisë dhe origjinën e djathit të prodhuar në këtë rajon”- thuhet më tej nga ministria.

Tutje, ministria thekson se me këtë mbrojtje, përdorimi i emrit “Djathi i Sharrit” përkatësisht mekanizmat e certifikimit dhe kontrollit të prodhimit do të sigurojnë standardet e cilësisë për këtë produkt.

Sipas ministrisë, Treguesi Gjeografik, në këtë rast “Djathi i Sharrit” i mbrojtur, ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e sektorit ekonomik të djathit në Kosovë dhe promovon turizmin rural.

“Regjistrimi i “Djathit të Sharrit” është ndër vendimet më të rëndësishme që Ministria ka marrë në ruajtjen dhe mbrojtjen e produkteve vendore dhe promovimin e traditës sonë kombëtare”- thuhet me tëj në njoftim.

MINT potencon se do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e sa më shumë produkteve vendore me Tregues Gjeografik dhe Emërtime të Origjinës.