Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Nura: Sami Lushtaku ka dalë në punë sot, nuk kemi pranuar ftesë për intervistim
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka deklaruar se nuk kanë pranuar ftesë për intervistim nga organet e rendit pas incidentit që ndodhi më 14.05.2026 mes zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani, dhe kryetarit të Komunës, Sami Lushtakut.
Në një konferencë për media, ai tha se Lushtaku ka dalë në punë për t’i vazhduar obligimet e tij si kryetar.
Sipas tij, incidentin e djeshëm nuk e ka dëshiruar as kryetari Lushtaku, por siç ka thënë ai, e gjitha ishte “produkt i një gjuhe të kontaminuar”. Ai tha Sami Lushtaku nuk ka qenë i përfshirë direkt në sulmin fizik siç pretendon Lëvizja Vetëvendosje.
“Më lejoni që të shpreh keqardhje për incidentin e djeshëm në Komunën e Skenderajt. [Ky] është produkt i një gjuhe të kontaminuar të komunikimit publik që e ka instaluar dhe po e promovon LVV-ja. Nuk është hera e parë – ju e dini që edhe gjatë fushatës herën e kaluar – qytetarët në Skenderaj janë provokuar me tre gishtërinjtë, dhe besoj që kjo ishte një akt për të cilin ne si institucion, edhe kryetari i Komunës, nuk e ka dëshiruar. Sipas informacioneve, z.Lushtaku nuk ka qenë i përfshirë direkt, por këtë çështje do ta zbardhin organet përgjegjëse që po punojnë në këtë drejtim” – deklaroi Nura më 15.05.2026.
Nura theksoi se me rastin nuk po merret stacioni policor në Skenderaj por ai i nivelit qendror, dhe se janë të gatshëm për t’iu përgjigjur intervistimit, nëse iu kërkohet.
“Unë deri në orën 4 kam qenë në kontakt me komandantin e stacionit të Policisë dhe i kam shprehur gatishmërinë që t’i përgjigjemi intervistës nëse është nevoja. Komandanti më ka njoftuar që rastin e kanë marrë nga niveli qendror, nga Prishtina, dhe janë në procedurë të intervistimit të dëshmitarëve. Ftesë nuk kemi deri në momentin që po flasim si institucion. Jemi duke pritë. Në momentin që e kemi [ftesën], sigurisht që z.Lushtaku do t’i përgjigjet, sikurse iu ka përgjigjur gjithmonë”, ka deklaruar Nura.
Ai ka bërë të ditur se Lushtaku ka dalë në punë.
“Po ka dalë në punë. Jemi në aktivitetet e nevojshme. Ka qenë fatkeqësisht një incident i izoluar që besoj do të tejkalohet, por që kjo ka krijuar efekt te qytetarët e Skenderajt” – u shpreh Nura.
Dje më 14.05.2026, kryetari i LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, përmes një postimi në Facebook-un e bashkëpunëtorit të tij, Bahri Zabeli, ka shprehur pretendimin se është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Përmes një postimi në Facebook të një anëtari të LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, shkrim i cili u postua në emër të Hysni Mehanit, pretendohet se ky i fundit është sulmuar nga Sami Lushtaku.
“Jemi në spital. Jemi sulmuar nga Sami Lushtaku, unë dhe Hysni Mehani. Kemi qenë në kafe, kanë ardhur dhe na kanë sulmuar, Samiu, direkt. Policia ka qenë, deklaratë nuk kemi dhënë sepse jemi në spital”- tha Bahri Zabeli për KALLXO.com.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku reagoi duke pretenduar se ka pasur tentime që ta sulmojnë sot nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kanë qytetarët kanë reaguar.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!” – ka shkruar Lushtaku më 14.05.2026.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje pretendon se kryetari i degës së kësaj partie në Skenderaj, Hysni Mehani dhe sekretari i Qendrës, Bahri Zabeli janë sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe shoqëruesit e tij.
LVV pretendon se “fillimisht është sulmuar Mehani duke u goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë ndërsa pas përpjekjes së sekretari të qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda”.
Në fillim të mbledhjes së Qeverisë në detyrë, Albin Kurti ka dënuar sulmin fizik ndaj Hysni Mehanit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.
“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e sotme të Qeverisë, na erdhi lajmi që kryetari i qendrës së LVV-së në Komunën e Skenderajt, zëvendësministri e njëherësh kandidati për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë”- tha kryeministri në detyrë.
Ai e quajti këtë sulm si qyqar, të papranueshëm dhe me mendësi banditeske.
Po ashtu, anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas raportimeve lidhur me sulmin ndaj Hysni Mehanin, kryetar i degës së LVV-së në Skenderaj, i cili pretendon së është sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se dhuna, provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë zgjidhje.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Por as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë. Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën. Gjithmonë kështu ka qenë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmbajtje dhe respekt në diskursin publik. Për ndalim të gjuhës që prodhon konflikt, e jo për ushqim të saj”- ka shkruar ajo në Facebook.
Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar mbrëmë persona të dyshuar dhe dëshmitarë.
Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Pretenin.
“Po intervistohen të dyshuar dhe dëshmitarë në lidhje me rastin. Nuk kam ende të dhëna se kush janë të dyshuarit. Prokurorja është në stacion policor në Skenderaj. Atje janë duke u zhvilluar procedurat e hetimit të rastit” – tha për Kallxo.com zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni më 15.05.2026.
Më pas, Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se lidhur me incidentin e sotëm në Skenderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, sipas Prokurorisë, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona, Hysni Mehani dhe Bahri Zabeli, prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skenderaj, ku së bashku me Policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin.
“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor” – thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas Prokurorisë, dy të dyshuar të tjerë për këtë rast, Sami Lushtaku dhe Kushtrim Haziri, deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.
“Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Mitrovicës.
Në orët e vona, ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes raportoi drejtpërdrejt se Forca të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës janë vendosur në Skenderaj.
Të gjitha zhvillimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK