Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Nuk miratohet marrëveshja për rehabilitimin e linjës hekurudhore

Me 85 deputetë në sallë, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se edhe pse ishin 85 deputetë në sallë nuk kanë votuar të gjithë deputetët për këtë marrëveshje.

Sipas Konjufcës, 66 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe vetëm një abstenim.

“Jo të gjithë deputetët kanë votuar dhe nuk ka pas kuorum”, tha Konjufca.

Për këtë marrëveshje opozita e përbërë nga PDK, LDK dhe AAK janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në votim.

Kjo gjë ka ngjallur reagimin e shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila iu drejtua opozitës duke thënë se “ju nuk i keni humb zgjedhjet për arsye qe nuk janë miratuar ato tri marrëveshje ndërkombëtare, i keni humb për shkak një kulture të keqqeverisjes”.

Kusari Lila – opozitës: Po doni që të dënoni qytetarët që nuk iu kanë votuar