Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Opozita deklarohet se nuk do të marrë pjesë në votimin e marrëveshjes ndërkombëtare për rehabilitimin e linjës hekurudhore

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar miratimin e Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga deputetët ta votojnë këtë marrëveshje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se ky është projekt i rëndësisë së veçantë. Por, sipas tij pa marrë sqarimet e nevojshme nuk do të marrin pjesë në këtë votim.

“Është marrëveshje e negociuar dhe e ratifikuar nga shumica e kaluar. Shumica aktuale as nuk na ka dhënë sqarimet e nevojshme as nuk na ka kontaktu si grup parlamentar as nuk ka kërku ndihmë dhe përkrahje parlamentare dhe sigurisht ka vlerësuar se i ka 2/3 e votave dhe na ka përjashtuar për diskutim për këto projekte të kësaj rëndësie. Deri sa ne ti kemi sqarimet e nevojshme PDK nuk merr pjesë në votim”, tha Hamza.

Edhe Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se problemet për këto marrëveshje dhe mënyrën e funksionimit të Kuvendit kanë filluar mandatin e kaluar.

Sipas tij, në këtë Kuvend në të gjitha rrethanat dhe kushtet kanë pas dakordim të pashkruar në këto 20 vite për t’u votuar për çështjet me interes kombëtar.

“Por kjo marrëveshje dhe kjo mënyrë e bashkëpunimit është prish dhe shkel në mënyrë brutale nga LVV dhe në atë kohë nga kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa sot ministër i Ekonomisë dhe Financave…. Unë nuk du me ju përgjigj në të njëjtën mënyrë Hekuranit që le t’i bon 80 deputetë në sallë, e pastaj votojmë edhe ne”, tha Gashi.

Ai ka kërkuar nga ministri Murati të dalë e të kërkojë falje.

“Ke prish traditën për votim për çështje me interes nacional”, tha ai duke shtuar se nuk do të marrin pjesë në këtë votim.

“Duhet me dalë me thoë që ke gabu e mashtru me kërku falje çka ke bo. Duhet me dalë me thonë që kjo është çështje përtej interesave politike”, tha ai.

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se deri se e kanë injorancën e madhe për opozitën.

“Në si grup parlamentar nuk jemi konsultu nga askush nga LVV që e ka përgjegjësinë për t’i kalu këto marrëveshje”, tha Lekaj.

“Deri sa e keni këtë arrogancë është e pa kuptimtë që ne të marrim pjesë në votim”, tha Lekaj.