Gjykata Themelore në Prizren

Një muaj paraburgim të pandehurit që dyshohet se e kërcënoi me vrasje postierin e Gjykatës

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit, i cili dyshohet se kishte kërcënuar me vrasje postierin e Gjykatës.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri F.H., më 21 janar 2022 ka takuar postierin i cili, sipas Gjykatës, e ka njoftuar në mënyrë zyrtare gjatë orarit të punës se djali i të pandehurit duhet të paraqitet në Gjykatë për të cilin ka një ftesë.

“Punëtori i Gjykatës ia ofron ftesën të pandehurit, mirëpo ky i fundit i revoltuar, fillimisht tenton t’i vërsulet fizikisht, pastaj e ofendon me fjalë fyese dhe pastaj, i drejtohet të dëmtuarit me fjalët kanosëse ‘kam me ju vra edhe ty edhe gjyqtarët nëse bjen kësi letra’”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Tutje është treguar se paraburgimi do të llogaritet prej kohës së arrestimit, 21 janar 2022 dhe do të zgjasë deri më 21 shkurt 2022.