Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Sulmoi seksualisht një të dëmtuar në objektin policor në Vërmicë, dënohet polici

Një rast i një sulmi seksual ka ndodhur më 1 maj 2018, rreth orës 09:00 në pikën kufitare në Vërmicë, në objektin e Policisë së Kosovë.

I akuzuar për kryerjen e kësaj vepre penale është një zyrtar policor, G.B., i cili edhe është shpallur fajtor me vendim të Gjykatës së Prizrenit, më 16 mars 2023.

Polici në fjalë akuzohet se më 1 maj 2018 e ka prekur të dëmtuarën B.B., me qëllim seksual, pa pëlqimin e saj.

Aktgjykimi thotë se ai e ka shfrytëzuar situatën e të dëmtuarës, e cila ka qenë e pambrojtur dhe siguria e saj ishte në rrezik.

Fillimisht, polici e kishte orientuar të dëmtuarën duke treguar vendndodhjen e tualetit, e pastaj ka hyrë aty bashkë me të duke iu arsyetuar të dëmtuarës kinse po shikon se a mbyllet dera e tualetit apo jo.

Këto veprime kanë bërë që e dëmtuara të dalë jashtë dhe në vendim thuhet se i pandehuri e ka kapur atë për dore, duke ia tërhequr dorën e djathtë, me qëllim që ta fus prapë atë në tualet.

Në vendim thuhet se e dëmtuara e kundërshtoi prapë të akuzuarin dhe arriti të largohet.

Me këto veprime thuhet se G.B. ka kryer veprën penale “sulm seksual”, për të cilën gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve.

Madje, gjatë procesit të gjykimit, siç tregohet në vendim të gjykatës, G.B. e ka pranuar fajësinë që i ngarkohet me aktakuzë.

Ky dënim, me propozimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë eurove.

Në këtë aktgjykim është thënë se në dënim, policit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak nga data 1 maj 2018 deri me datën 30 qershor 2018.

Kjo kohë e kaluar në arrest shtëpiak ka bërë që i akuzuari ta paguajë dënimin e mbetur me gjobë në shumën prej 1 mijë e 800 euro në tre këste mujore.