Vendimi i gjykatës ndaj dy të arrestuarve nën dyshimin për dhunimin e 13-vjeçares

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.

Kjo vepër penale dyshohet se është kryerer ndaj një 13-vjeçare, e cila fillimisht ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj në stacionin e policor në Suharekë më 16.03.2024, ndërsa dy ditë më vonë, më 18.03.2024, ajo u gjet në Vushtrri dhe e gjithë ngjarja më pas është iniciuar si “Dhunim”.

Gjykata e Prizrenit ka thënë se masa e paraburgimit do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21.03.2024 dhe mund të zgjasë deri më datën 20.04.2024 ndaj të pandehurve D. D., 20-vjeçar dhe P. B., 19-vjeçar.

Në komunikatë të Gjykatës është thënë se gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë dhe dëgjimit të pohimeve të palëve, dhe në bazë të provave në shkresat e lëndës, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit veç e veç e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen”.

Gjykata tha se me rastin e caktimit të paraburgimit është marrë parasysh fakti se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merren në pyetje të pandehurit, dhe dëshmitarët eventual, andaj Gjykata ka vlerësuar se me lënien në liri të të pandehurve ekziston dyshimi i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore.

“Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale për të cilën dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale” – thuhet tutje.

Gjithashtu është thënë se nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e 13-vjeçares