Gjykata vendos ndaj të dyshuarit të dytë për sulm ndaj gazetarit gjatë protestës kundër “DokuFest”

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, ndaj të dyshuarit të dytë, E.A, nën dyshimin se ka sulmuar gazetarin e partalit “Nacionale” gjatë protestës kundër festivalit të filmit të shkurtër “DokuFest”, që u mbajt më 11 gusht në Prizren.

Arresti shtëpiak do të zgjas deri më 15 shtator 2023.

Sipas gjykatës, i dyshuari E.A, më 11 gusht, rreth orës 14:00., në “Sheshin Shatërvan” në Prizren, me dashje e ka sulmuar të dëmtuarin, gazetarin V.K.

Tutje sipas gjykatës, i njëjti i është bashkuar protestës së organizuar, dhe në momentin kur gazetari V.K gjatë ka marrë në intervistë protestuesit, i pandehuri e ka shtyrë gazetarin.

Në njoftimin e gjykatës përshkruhet se gazetari ka vazhduar t’i intervistojë protestuesit e tjerë dhe i njëjti ka hasur në rezistencë të protestuesve, me të cilat veprime thuhet se tek i dëmtuari kanë shkaktuar shqetësim.

Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak, Gjykata thotë se ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit.

“Me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual, si rezultat i kësaj caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit, dhe për të siguruar prezencën e të pandehurit në procedurën hetimore” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i arrestit shtëpiak në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale.

Më 11 gusht 2023, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar ekipin e portalit “Nacionale” gjatë protestës kundër festivalit të filmit të shkurtër “DokuFest”.

Të arrestuarit të parë  i është caktuar masa e paraburgimit.

Protesta e thirrur në Prizren u organizua kundër festivalit me thirrje “kundër degjenerimit”, pas performancës së mbajtur në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim në lidhje me fushatën linçuese kundër portalit online “Nacionale” dhe gazetarëve të saj.

KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tenton t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.

Dosja thotë se në momentin kur i dëmtuari, gazetari Vullnet Krasniqi, merr në pyetje protestuesit, afrohet tek i pandehuri dhe e pyet me fjalët: “A pajtoheni me atë çka foli hoxha për ‘DokuFest’?”, i pandehuri i drejtohet me fjalët: “Çka pajtohem me ty, me pedofil” dhe me atë rast e shtyn me dorë gazetarin.

Tutje thuhet se gazetari vazhdon t’i intervistojë protestuesit e tjerë dhe më pas has në rezistencë dhe persona të paidentifikuar e sulmojnë fizikisht gazetarin, me të cilat veprime tek i dëmtuari shkaktojnë shqetësim.

I dyshuari i parë është arrestuar në ditën kritike, ndërkaq, në seancën dëgjimore të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, më 12 gusht, ai e ka pranuar se ka pasur veprim shtyrës në drejtim të të dëmtuarit.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.