Ilustrim

Largohet nga puna mësimdhënësi i dyshuar për ngacmim seksual të nxënëses në Prizren

Më shumë se dy muaj pas vendimit për largim të përkohshëm nga puna, mësimdhënësi që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur në Prizren, largohet nga puna.

Ndaj të njëjtit Prokuroria ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Mësimdhënësi për të cilin KALLXO.com kishte raportuar se dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur, është larguar nga puna.

Kështu ka marrë vendim Komisioni disiplinor i Drejtorisë së Arsimit në Prizren, më datë 1 nëntor. KALLXO.com e ka siguruar këtë vendim.

“Komisioni disiplinor pas shqyrtimit të provave dhe ndjekjes së të giitha procedurave me katër vota pro dhe një anëtar kundër (përfaqësuesi i SBASHK) ka marrë vendim për largimin e mësimdhënësit XX nga procesi edukativo arsimor”- thuhet në vendimin e Komisionit disiplinor.

Vendimi për mësimdhënësin në Prizren / Foto – KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar me mësimdhënësin e dyshuar, mirëpo i njëjti ka vazhduar ta quajë shpifje këtë rast dhe e ka ndërprerë bisedën.

Ndërsa, avokati i tij, Arben Shala ka thënë për KALLXO.com se nuk janë dëgjuar me mësimdhënësin dhe se nuk është në dijeni se a do të vazhdojë të jetë i angazhuar si avokat i tij, dhe për vendimin e Komisionit disiplinor avokati ka thënë se nuk ka informata.

“Jo, jo, nuk e ka pranu, sa jam kanë unë, qe dy-tri javë nuk kam kontakt me këtë palë. Nuk e ka pranu”- është përgjigjur avokati Shala në lidhje me pranimin apo jo të veprës nga mësimdhënësi.

Ky vendim vjen pas provave shtesë të kërkuara nga shkolla dhe aktakuzës së ngritur ndaj mësimdhënësit nga Prokuroria Themelore në Prizren. 

KALLXO.com e ka pyetur Gjykatën Themelore në Prizren se a është mbajtur shqyrtimi fillestar pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria, më 19 shtator.

Se e kanë pranuar aktakuzën e Prokurorisë për mësimdhënësin, e kanë konfirmuar nga Gjykata.

“Prej kohës së pacaktuar e në vazhdimësi deri në muajin prill të vitit 2023, i pandehuri XX., përmes sjelljes së padëshiruar me qëllim të ngacmimit seksual dhe të cenimit të dinjitetit të personit tjetër, në cilësi të mësimdhënësit, i ngacmon seksualisht, të miturat të cilat janë viktima të ndjeshëm për shkak të moshës, me këto veprime ka kryer veprën penale: Ngacmimi Seksual”, janë përgjigjur nga Gjykata Themelore në Prizren.

Mirëpo, ende nuk është caktuar shqyrtimi fillestar.

Provat shtesë nga shkolla janë dorëzuar më 16 tetor 2023, ku kanë përmbajtur dy deklarata të nxënësve. 

Më pas, më 19 tetor Komisioni disiplinor e ka intervistuar drejtorin dhe psikologen e shkollës, ndërsa më 25 tetor i ka intervistuar edhe dy kujdestaret e nxënësve të cilët kanë bërë ankesë ndaj mësimdhënësit.

Përveç tyre, më datë 31 tetor 2023 është intervistuar edhe mësimdhënësi në fjalë. Sipas Komisionit disiplinor, ai ka vazhduar të mos e pranojë se e ka ngacmuar seksualisht nxënësen.

“Pas intervistimit komisioni ka shqyrtuar edhe njëherë dosjen me të gjitha provat e disponuara të procedurës paraprake të marrjes së vendimit të parë dhe provat e ofruara dhe në fund ka konstatuar se dëshmitë e drejtorit të shkollës, psikologes, dy kujdestareve të klasave përputhen me dëshmitë e nxënësve për dhunë fizike siç e parasheh neni 4 i Ligjit me nr. 04/L-032, pika 1 dhe pika 2”- thuhet në vendimin e Komisionit disiplinor.

Sipas nenit 4, në ligjin 04/L-032 në pikën 1 thuhet:

Të gjithë personat e punësuar në institucione arsimore, të themeluara sipas këtij ligji, do të ndërmarrin të gjithë hapat e arsyeshëm që të sigurojnë se nxënësit dhe punonjësit nuk lëndohen apo u ekspozohen fjalëve dhe veprimeve fyese”.

Dhe në pikën 2 thuhet: “Ndalohet ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit nënçmues në të gjitha institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike ose private”.

Përveç provave të përmendura më lartë dhe të tjera të mëparshme, Komisioni disiplinor ka shqyrtuar edhe vërejtje dhe raporte tjera të mësimdhënësit.

Ashtu siç kishte raportuar KALLXO.com, i dyshuari më datë 22 dhjetor 2022, kishte pasur një vërejtje me gojë nga drejtoria e shkollës, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi të mitur. 

Ndërkaq, Komisioni disiplinor e ka shqyrtuar këtë vërjetje dhe një vërejtje tjetër me shkrim më 26 prill 2023, si dhe një raport për sjellje jo të mirë të mësimdhënësit të datës 14 mars 2023, të lëshuar nga psikologia e shkollës.

Me të gjitha këto, Komsioni disiplinor ka vërtetuar se mësimdhënësi ka bërë shkelje të rënda të detyrës.

Në fund të muajit korrik, KALLXO.com kishte raportuar rreth dyshimeve se një nxënëse e mitur është ngacmuar seksualisht nga një mësimdhënës në Prizren.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 24 prill, ndërsa është raportuar në Polici më 4 maj. Tashmë ka më shumë se 6 muaj që po trajtohet dhe hetohet nga Policia edhe nga Gjykata Themelore në Prizren.

Më 15 gusht, Komisioni disiplinor kishte marrë vendim për ta larguar përkohësisht nga puna mësimdhënësin për 6 muaj, ku i kishte takuar e drejta e kompensimit në pagë prej 50 për qind.

Tre ditë pas vendimit të datës 15 gusht, Komisioni i ankesave në Prizren ka pranuar ankesë nga mësimdhënësi, i cili e kishte kundërshtuar këtë vendim.

Ky Komision i ka shqyrtuar të gjitha provat materiale dhe është arsyetuar se për shkak të hetimeve që vazhdojnë në Polici dhe Prokurori, e ka kthyer mbrapsht ankesën e mësimdhënësit si të pabazuar.

Në anën tjetër, më 30 gusht është paraqitur ankesë tjetër, këtë herë është ankuar drejtori i shkollës.

Ankesa e drejtorit të shkollës është pranuar si e bazuar dhe kjo ka bërë që lënda të rishqyrtohet nga Komisioni disiplinor dhe si përfundim të merret vendimi për largimin e mësimdhënësit nga puna.