Një burrit i dëmtohet vetura në Zveçan, Policia jep detaje

Një burrë është ankuar në Policinë e Kosovës se gjatë ditës së djeshme iu është dëmtuar vetura në fshatin Zerovnicë në Zveçan.

Sipas njoftimit të Policisë, ankuesi ka thënë se disa persona të panjohur ia kanë dëmtuar veturën e tij.

Lidhur me ngjarjen është thënë se rasti vazhdon në procedurë hetimore.

Policia në mëngjesin e sotëm ka bërë të ditur se janë identifikuar 4 raste gjatë ditës së djeshme, ku qytetarët shqiptarë që kanë qarkulluar në pjesën e pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, janë ndaluar dhe maltretuar.

Po ashtu, në njoftim është thënë se edhe sot këto dy pika kufitare po vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe të organizuara kriminale.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë, tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkovic.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Në anën tjetër, Policia ka njoftuar se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi.

Tutje është thënë edhe se gjatë ditës së djeshme, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të Policisë, si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim.

Por që fatmirësisht, sipas Policisë, nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policor të plagosur nga arma e zjarrit.

Vazhdojnë bllokimet në Bërnjak dhe Jarinje, Policia konfirmon se në 4 raste janë maltretuar qytetarët shqiptarë