Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan, Jode Biden, Foto: Facebook

'Një botë reale e brutale në të cilën SHBA do t'a braktiste Ukrainën'

Në ditën më të shkurtër të vitit, pas 10 muajsh lufte, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më në fund e vizitoi Uashingtonin për t’i falënderuar amerikanët për mbështetjen e tyre. Shkoi në Shtëpinë e Bardhë, u shfaq në një konferencë për media pastaj shkoi në Kongres, ku i dorëzoi zëvendëspresidentit dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve një flamur ukrainas, të nënshkruar nga mbrojtësit e qytetit Bakhmut. Na uroi të gjithëve për fitoren tonë të parë, të përbashkët amerikano-ukrainase me fjalët: “E kemi mposhtur Rusinë në betejën për mendjet e botës”.

Asgjë rreth këtij udhëtimi – as duartrokitjet, as flamuri, as fjalimi – nuk ishin të pashmangshme. As vetë mbijetesa e Zelensky nuk ishte e pashmangshme. Madje as ekzistenca e vazhdueshme e Ukrainës si shtet sovran nuk ishte e pashmangshme. Në muajin shkurt, të shumtë ishin ata që i konsideronin këto gjëra si të pamundura.

Në prag të pushtimit, këshillat e disa ekspertëve amerikanë ishin kundër ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, me arsyetimin se lufta do të përfundonte shumë shpejt. Amerikanë të tjerë e përsëritën propagandën ruse, duke vënë në dyshim nëse Ukraina meritonte të ekzistonte apo nëse meritonte të mbrohej. Disa politikanë amerikanë u bënë jehonë këtyre pikëpamjeve dhe në të vërtetë vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe më tutje. Po sikur këshillat e tyre të kishin qenë të drejta? Po sikur një president tjetër të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë? Po sikur të ishte zgjedhur një president tjetër në Ukrainë? Le ta imagjinojmë, vetëm për një moment, një botë pa guximin ukrainas, ose pa armët amerikane dhe evropiane, ose pa unitetin dhe mbështetjen e demokracive në mbarë botën.

Sikur plani rus të zbatohej siç ishte shkruar, Kievi do të ishte pushtuar brenda pak ditësh. Zelensky, gruaja dhe fëmijët e tij do të ishin vrarë nga një prej skuadrave vrasëse që bredhin në kryeqytet. Shteti ukrainas do të ishte marrë në dorë nga bashkëpunëtorët që, tashmë i kishin zgjedhur apartamentet e tyre në Kiev. Më pas, qytet më qytet, rajon pas rajoni, ushtria ruse do të kishte luftuar me mbetjet e ushtrisë ukrainase derisa ta pushtonte përfundimisht të gjithë Ukrainën. Fillimisht, shtabi i përgjithshëm rus kishte imagjinuar se një fitore e tillë do të kërkonte gjashtë javë kohë.

Nëse krejt kjo do të kishte ndodhur siç ishte planifikuar, Ukraina tani do të ishte e mbushur me kampe përqendrimi, dhoma torture dhe burgje të improvizuara, të tilla çfarë janë zbuluar tashmë në Bucha, Izyum, Kherson dhe të gjitha territoret e tjera të pushtuara përkohësisht nga Rusia dhe të çliruara nga ushtria ukrainase. Një gjeneratë e shkrimtarëve, artistëve, politikanëve, gazetarëve dhe liderëve qytetarë ukrainas do të varroseshin tashmë në varre masive. Librat ukrainas do të ishin hequr nga shkollat dhe bibliotekat. Gjuha ukrainase do të ishte shtypur në të gjitha hapësirat publike. Qindra mijëra fëmijë të tjerë ukrainas do të ishin rrëmbyer dhe transportuar në Rusi ose do të trafikoheshin diku gjetkë nëpër botë.

Ushtarët rusë, të trimëruar nga fitorja e tyre mahnitëse, do të ishin tashmë në kufijtë e Polonisë, duke ngritur poste të reja komandimi dhe duke gërmuar istikame të reja. NATO-ja do të përballej me kaos; e gjithë aleanca do të detyrohej të shpenzonte miliarda për t’u përgatitur për pushtimin e pashmangshëm të Varshavës, Vilniusit ose Berlinit. Miliona refugjatë ukrainas do të jetonin në kampe në të gjithë Evropën, pa asnjë perspektivë për t’u kthyer në shtëpi; kursi i simpatisë që fillimisht i përshëndeti ata do të zbehej shumë kohë më parë; paratë do të shpenzoheshin dhe reagimi do të vazhdonte. Ekonomia moldave do të kishte rënë tërësisht; një qeveri pro-ruse në Moldavi ndoshta tashmë do të planifikonte ta inkorporonte atë vend në federatën në zhvillim ruso-bjelloruse-ukrainase për të cilën një propagandist rus kishte evokuar shumë herët, më 26 shkurt.

Kjo fatkeqësi nuk do t’i kishte limitet e saja vetëm në Evropë. Në anën tjetër të botës, planet kineze për ta pushtuar Tajvanin do të ishin në zhvillim e sipër, sepse Pekini do të supozonte se një Amerikë që nuk dëshiron ta mbrojë një aleat evropian, dhe tashmë e zhytur plotësisht në një betejë afatgjatë kundër një Rusie të guximshme, nuk do të kishte qenë asnjëherë në gjendje të bëjë gjithçka për ta ndihmuar një ishull në Paqësor. Mullahët iranianë, të gëzuar po aq nga suksesi i Rusisë dhe humbja e Ukrainës, do ta kishin dhënë lajmin e tyre me shumë guxim se më në fund i kishin siguruar armët bërthamore.  Nga Venezuela në Zimbabve në Mianmar, diktaturat në mbarë botën do t’i kishin futur në zgrip regjimet e tyre dhe do ta kishin rritur persekutimin e kundërshtarëve të tyre, tani të sigurt se rregullat e vjetra – konventat për të drejtat e njeriut dhe gjenocidin, ligjet e luftës, tabu kundër ndryshimit të kufijve me forcë – nuk zbatohen më. Nga Uashingtoni në Londër, nga Tokio në Canberra, bota demokratike do të përballej me dëshpërim ndaj vjetërsimit të saj.

Megjithatë, asgjë nga këto nuk ndodhi. Sepse Zelensky mbeti në Kiev, duke deklaruar se kishte nevojë për “municion, jo për udhëtim”; sepse ushtarët ukrainas e zmbrapsën sulmin e parë rus në kryeqytetin e tyre; sepse shoqëria ukrainase u bashkua për ta mbështetur ushtrinë e saj; sepse ukrainasit në të gjitha nivelet ishin krativ në përdorimin e burimeve të kufizuara; sepse civilët ukrainas ishin dhe janë të gatshëm të durojnë vështirësi të tmerrshme; për shkak të krejt kësaj, ne tani nuk po jetojmë në atë realitet të shëmtuar, alternativ.

Për shkak se ata u frymëzuan nga ato javët e para të guximit ukrainas, presidenti Joe Biden dhe Kongresi i SHBA-së i rezistuan tundimit të izolacionizmit “Amerika së pari” dhe e hodhën poshtë kultin e autokracisë që tani e ka pushtuar një pjesë të së djathtës amerikane.  Udhëheqësit e Evropës – me përjashtim të vetëm të kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, një nga ideologët kryesorë të të njëjtit kult – gjithashtu rezistuan ndaj dezinformimit dhe fushatave të shantazhit rus të shënjestruar me kujdes dhe u dakorduan ta mbështesin Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe humanitare. Njerëzit anembanë botës ishin dëshmitarë se ukrainasit u përballën me një diktaturë brutale dhe vullnetarisht vunë në dispozicion kohën dhe paratë e tyre për të ndihmuar.

Për shkak të gjithçkaje që bëmë të gjithë së bashku, Kievi ende qëndron në këmbët e veta. Ukrainasit ende e kontrollojnë pjesën më të madhe të Ukrainës. Masakrat, ekzekutimet, dhuna masive e planifikuar nga rusët nuk u zhvilluan në pjesën më të madhe të Ukrainës. Miti mbi aftësinë ushtarake të Rusisë është shkatërruar. Kina dhe Irani janë të tronditura nga pakënaqësia dhe trazirat. Bota demokratike nuk kolapsoi, por përkundrazi është forcuar edhe më shumë. Siç deklaroi presidenti ukrainas mbrëmë, ne “ia dolëm ta bashkojmë komunitetin global për ta mbrojtur lirinë dhe ligjin ndërkombëtar”. Zelensky erdhi në Uashington për t’i falënderuar amerikanët në emër të Ukrainës, por në të vërtetë, jemi ne që duhet t’i falënderojmë ata./The Atlantic

Përgatiti: Nuhi Shala