Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit për kanosje të gazetares

Policia e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se e kanë arrestuar një person pasi dyshohej se më 7 janar të këtij viti, e kishte kanosur një gazetare.

Ndaj të dyshuarit sot është ngritur aktakuzë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Sot, prokurori ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet D.K., në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, me kërkesë për caktimin e masës së ndalimi për t’iu ofruar personit apo vendit të caktuar”, ka thënë Ulaj.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 07.01.2022, ku e dëmtuara A.H., (gazetare), ka raportuar se gjatë ushtrimit të profesionit të saj është kanosur nga një person, “ashtu që prokurori i shtetit në koordinim me policinë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe më 16 mars 2022, i dyshuari është arrestuar fillimisht e pastaj me aktvendim të prokurorit kujdestar është ndaluar, për veprën penale “Kanosja”, sipas KPRK-së”.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar lidhur me rastin në fjalë.

Në shkurti të këtij viti, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ është  transmetuar debati lidhur me efikasitetin e organeve të drejtësisë, prokurorisë e gjykatës, në trajtimin e rasteve penale ndaj gazetarëve dhe komunitetit LGBTI.