Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Nga sa para ua dha Qeveria Kurti mediave të komuniteteve?

Qeveria e Kosovës ka dhënë mbi 50 mijë euro për tetë media të komuniteteve në Kosovë.

Por, disa media online që përfituan donacione nuk ishin fare anëtare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organ ky vetërregullues i mediave elektronike në vend.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht Zyra për Çështje të Komuniteteve, publikoi më 10 korrik 2023 një listë me emrat e organizatave joqeveritare dhe mediave, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare për projektet ose programet për ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.

E pakënaqur me përzgjedhjen e OJQ-ve dhe mediave përfituese të fondeve qeveritare ishte Elizabeth Gowing e cila dha dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në muajin gusht të këtij viti.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar listën e mediave që kanë përfituar nga thirrja e Zyrës së Kryeministrit.

Kështu, media nga komuniteti turk “SH.I.M. Kosovahaber” ka përfituar 6 mijë e 500 euro, media nga komuniteti boshnjak “Utilis” ka përfituar 5 mijë e 800 euro, media, që në listë përshkruhet që është  nga komuniteti rom “Connection Media” ka përfituar 5 mijë e 500 euro, media tjetër nga komuniteti egjiptian “Gazeta Scanner” ka përfituar 7 mijë e 800 euro,  media “Prosperiteti” nga komuniteti ashkali përfitoi 7 mijë e 500 euro, media tjetër “Dardana Press” nga komuniteti rom përfitoi 4 mijë e 500 euro, media “Radio Televizija Mir” nga komuniteti serb përfitoi 6 mijë e 500 euro dhe “RTV Plus”, medie nga komuniteti serb përfitoi 6 mijë euro.

Shumua totale e ndarë për këto media kapi vlerën e 50 mijë e 100 eurove.

Grafikë: Ndarja e mjeteve për mediat nga komunitetet

Zyra e Kryeministrit të Kosovës konfirmoi pwr KALLXO.com se jo të gjitha mediat që aplikuan kishin plotësuar kriteret e aplikimit.

“Aplikime kanë qenë 20 në këtë kategori, ndërsa vetëm 9 prej tyre i kanë plotësuar kriteret e thirrjes tonë publike por edhe kriteret e financimit në bazë të Rregullores së Financimit MF-NR-04-2017 mbi kriteret, standardet  dhe procedurat e financimit publik  të OJQ-ve dhe janë financuar, ndërsa 11 prej tyre  janë refuzuar në fazën administrative në mungesë dokumentacioni” – thuhet në përgjigje të ZKM-së.

Me paratë që u planifikuan për mediat e të cilat tepruan, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet.

“Buxheti i planifikuar për këtë Kategori siç shihet në Thirrje dhe Udhëzime ka qenë  100,000 ( Njëqind mijë)  Euro,  kurse janë shpenzuar vetëm  50,100.00 Euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve ka mbetur e lirë dhe nëse zyra vendosë për një thirrje të re do të shpërndahet në muajt në vijim” – tha ZKM.

Ndarja e fondeve për OJQ dhe media, ZÇK thotë se nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete