Ndarja e fondeve për OJQ dhe media, ZÇK thotë se nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht Zyra për Çështje të Komuniteteve, më 10 korrik 2023 ka publikuar një listë me emrat e organizatave joqeveritare dhe mediave, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare për projektet ose programet për ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.

Organizatat e shoqërisë civile që përfaqësojnë pakicën serbe të Kosovës i kanë kërkuar qeverisë të anulojë vendimin që jep 500,000 euro fonde për organizatat që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë pas dyshimeve që u ngritën javën e kaluar se si u zgjodhën përfituesit.

OShC-të deklarojnë se ndarja e fondeve, ka shkelur rregullat procedurale dhe administrative dhe “obligimet e institucioneve për të respektuar të drejtat e komuniteteve joshumicë”.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të anulojë rezultatet e kësaj thirrje publike dhe të shpallë një të re, e cila do të demonstrojë aftësinë për të respektuar pa dallim ligjin dhe qytetarët nga komunitetet joshumicë, të drejtat e të cilëve shpesh nuk respektohen”- janë shprehur 11 organizata në një deklaratë të përbashkët të shtunën.

Mirëpo, nga Zyra për Çështje të Komuniteteve thonë se komisioni i ankesave mund ta anulojë këtë thirrje vetëm në rast se ka shkelje të Rregullore së financimit të organizatave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZÇK thotë se nga opinionet ligjore që kanë kërkuar, është theksuar se “se nuk është shkelur kjo Rregullore dhe se kriteri që ka kërkuar këshilltarja e jashtme politike [Elizabeth Gowing] nuk mund të vendosej si kriter shtesë sepse atëherë me të vërtetë do të kishte shkelje”.

“Pas vlerësimit të kërkesës së këshilltares së jashtme të Kryeministrit, ne kemi kërkuar opinione ligjore nga zyra ligjore por edhe nga MF që e ka hartuar këtë Rregullore. Në dy opinionet që kemi marrë është theksuar se nuk është shkelur kjo Rregullore dhe se kriteri që ka kërkuar këshilltarja e jashtme politike nuk mund të vendosej si kriter shtesë sepse atëherë me të vërtetë do të kishte shkelje. Komisioni ka vazhduar punën dhe lista preliminare është shndërruar në listë përfundimtare sepse të gjitha ankesat e organizatave janë shpallur të pa bazuara dhe si e tillë lista që ka qenë e  publikuar ka mbetur e pa ndryshuar edhe pas afatit të ankesave”- shpjegon ZÇK.

Pretendimet se organizatat e zgjedhura nuk kanë të bëjnë me komunitete, ZÇK argumenton se nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete. Ata shtojnë se pretendimi që “këto organizata janë të komunitetit shumicë dhe nuk do të duhet të fitonin, nuk qëndron”.

“Nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete, përndryshe komisioni i ankesave do të reagonte dhe do merrte masa dhe vendime sipas legjislacionit në fuqi. Kanë përfituar organizata që gjithmonë janë marrë me komunitete dhe kanë përvojë në këtë fushë. Pretendimi se këto organizata janë të komunitetit shumicë dhe nuk do të duhet të fitonin nuk qëndron sepse këto organizata kanë punuar ndër vite me komunitete dhe kanë qenë përfituese edhe në të kaluarën”- thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunitete.

ZÇK-ja thotë se mjetet kanë filluar të ekzekutohen në bazë të thirrjes publike dhe afateve të parapara në Rregullore.

Dyshimet për rezultatet e thirrjes u rritën më 1 gusht kur Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti për çështjet e pakicave, njoftoi se kishte ndërprerë bashkëpunimin me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në zyrën e Kurtit pasi mësoi për rezultatet.

Dy ditë më vonë, Gowing sqaroi se do të vazhdonte të shërbente si këshilltare, por nuk do të punonte më me zyrën që ndau grantet.

“Jam informuar për rezultatet e vlerësimit pasi janë publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrisë”, tha Gowing në një postim të shkruar në shqip në Facebook. “Aty kam gjetur vetëm disa organizata të njohura se merren me çështjet e komuniteteve dhe kur kontrollova regjistrin publik të OJQ-ve, kuptova se vetëm tre prej tyre janë me bazë komuniteti, sipas informacioneve në statutet e tyre”- shtoi ajo.

Gowing tha se ajo mori vendimin e saj pasi mësoi se thirrja nuk mund të anulohej.

“Unë nuk mund të ruaj integritetin tim dhe të mbroj vendimin e komisionit për ndarjen e këtyre parave”- është shprehur këshilltarja e Kurtit.

KALLXO.com ka raportuar se pjesë e mediave që përfituan nga thirrja e 21 majit 2023 ishin edhe disa media online që nuk janë pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organ ky vetërregullues i mediave elektronike në vend.

KALLXO.com ka verifikuar nëse mediat që përfituan nga kjo thirrje janë pjesë e KMShK-së, por asnjëra nga 5 mediat përfituese nuk është në listën e anëtarësisë.

Mediat online që përfituan nga kjo thirrje janë: SH.I.M. Kosovahaber, Utilis, Connection Media, Gazeta Scanner dhe Prosperiteti.

DOKUMENT – Qeveria e Kosovës ndau para për 5 media që nuk janë anëtare të KMShK-së