Elisabeth Growing
Ndarja e fondeve për OJQ dhe media, këshilltarja e Kurtit jep dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve
Elizabeth Gowing ka dhënë dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Arsye për dorëheqjen e këshilltares së kryeministrit, Albin Kurti nga kjo zyrë u bë ndarja e fondeve për disa organizata jo-qeveritare dhe media.
Qeveria e Kosovës hapi thirrjen për mbështetje financiare për OJQ dhe media më 31 maj 2023. Shuma e ndarë për mbështetje ishte gjysmë milioni euro.
KALLXO.com ka siguruar letrën e dorëheqjes së Elizabeth Gowing, me anë të së cilës ajo ka njoftuar edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Aty thuhet se për dorëheqjen e saj nga Zyra për Çështje të Komuniteteve është njoftuar edhe kryeministri Kurti.
Sipas Elizabeth Gowing ndarja e mjeteve financiare u bë për disa organizata jo-qeveritare të cilat nuk kanë punë me bazë në komunitet. Ky fakt për të ishte befasues.
“Të hënën me 11 korrik, lista është shpallur. Isha e befasuar, e tronditur dhe e zhgënjyer me faktin që një numër tejet i vogël prej OJQ-ve dhe mediave të përzgjedhura për përkrahje financiare janë organizatë me bazë në komunitet, që kam kërkuar të jetë kritere për thirrje sipas kërkesave të komuniteteve në konsultim” – thuhet në letër.
“Atë natë – më 11 korrik – kur kam nxjerrë dëshmi që nuk janë të përfshirë OJQ me bazë në komunitet (prej 42 OJQ të përzgjedhura në listën preliminare kam gjetë vetëm 3 shembuj që janë me një bazë të tillë, sipas emrave në listë dhe regjistër), i kam shkruar Kryeministrit për t’ia shpjeguar që nëse qëndron një listë e tillë, duhem me dhënë dorëheqje nga puna ime me Zyrën për Çështje të Komuniteteve” – thuhet tutje në letrën njoftuese për dorëheqje të Elizabeth Gowing.
Për rastin, ajo foli përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Gowing tha se puna në këtë zyrë ishte e pamundur, sipas saj, për shkak të stafit civil brenda.
Por, Gowing tha se do të vazhdojë të jetë këshilltare e kryeministrit Kurti.
“Çka ndryshon është mundësia për mua me vazhdu bashkëpunim me Zyrën për Çështje të Komuniteteve (ZCK) e përbërë nga stafi civil që e kam gjetur aty dhe që funksionon brenda Zyrës së Kryeministrit” – ka thënë ajo.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht Zyra për Çështje të Komuniteteve, publikoi më 10 korrik 2023 një listë me emrat e organizatave joqeveritare dhe mediave, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare për projektet ose programet për ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.
KALLXO.com raportoi sot se pjesë e mediave që përfituan nga thirrja e 21 majit 2023 ishin edhe disa media online që nuk janë pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organ ky vetërregullues i mediave elektronike në vend.
Për situatën e krijuar me ndarjen e fondeve për OJQ dhe media, ajo tha se kërkoi një opinion edhe nga Zyra Ligjore në ZKM.
“Aty kam gjetë shumë pak organizata të njohura për punë me komunitete, dhe kur i kam kontrolluar në regjistrin publik të ojq-ve, kam gjetë vetëm 3 që kanë një bazë në komunitet, sipas informatave në statute që shpallet aty” – ka thënë Elizabeth Gowing.
“Kam kërkuar opinion ligjor nga Zyra Ligjore për mundësinë që të anulohet një konkurs që ndahen mjetet e shtetit në këtë mënyrë, dhe isha njoftuar se vetëm Komisioni i Ankesave mund ta anulojë këtë konkurs. Kur kuptova të hënën që komisioni nuk do ta anulojë konkursin, i kam lajmëruar që nuk mund të vazhdoi punën në Zyrën për Çështje të Komuniteteve” – ka thënë ajo.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës për Media të ZKM-së, për të kuptuar se pse u ndanë para mediave që nuk janë anëtare të KMShK-së, cilat ishin kriteret e përfituesve e gjithashtu edhe sa ishte shuma e ndarë, por deri në publikimin e këtij lajmi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
DOKUMENT – Qeveria e Kosovës ndau para për 6 media që nuk janë anëtare të KMShK-së