Nesër voton raportin e punës dhe përfundon mandatin komisioni hetimor për energji 2006-2022

Komisioni Hetimor Parlamentar në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, e ka shtyrë për nesër që ta votojë raportin e tij të punës.

Kryesuesi i Komisionit, Hajdar Beqa (PDK), deklaroi se nesër përfundon mandati i këtij komisioni hetimor.

Pas një diskutimi mes anëtarëve është vendosur që komentet mbi raportin të dërgohen dhe pastaj nesër në kohën e pauzës së drekës që do ta mbajë Kuvendi i Kosovës, do të mblidhen për ta votuar raportin.

Raporti i punës mbi gjashtë mujore, më pas i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

Ky komision ishte themeluar në maj të këtij viti me propozim grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesues i Komisionit ka qenë Hajdar Beqa i PDK-së.

Më 5 maj 2022, me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin hetimor për energji që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Në të njëjtën ditë Kuvendi formoi Komisionin Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, që do të udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Iniciues të këtij komisioni ka qenë Partia Demokratike e Kosovës (PDK).