Komisioni për energji, ish-ministri Et'hem Çeku pyetet për rëniet e blloqeve të termocentraleve në vitet 2006-2007

Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, ka qenë në mesin e tre ish-ministrave që është intervistuar të hënën nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, e ka pyetur lidhur me dhënien me qira të hidrocentraleve të vogla, asokohe.

“Në shtator të vitit 2007, keni marrë një plan propozim nga Selvador Elmazi për mundësinë e dhënies me qira të hidrocentraleve; Burim, Radavc që ishin në pronë të KEK-ut. A mund të na sqaroni se kush ka kërkuar nga departamenti për energji që të niset më këtë, nëse e mbani mend” – pyeti Bajqinovci.

Ish-ministri Çeku tha se për projektin e hidrocentralit në Zhur ka pasur një studim por që pas rënies së qeverisë nuk ka vazhduar tutje. Sipas Çekut, ky hidrocentral me kapacitet 200megavat do të zgjidhte problemin e furnizimit me rrymë.

“Nuk kam një informatë të saktë por e di që e kemi forcuar idenë për një energji alternative apo më të hidro-s. Nuk ka pasur shumë përplasje sepse nuk kishte kapacitet lumenjtë e Kosovës dhe hidrocentralet ishin të vjetra. Është kryer një studim, për lumenjtë e Kosovës. Është kry një studim jashtëzakonisht i mirë për hidrocentralin e Zhurit që ka paraparë të ndërtohet një hidrocentral prej 200 megavat në atë pjesë. Por në 2007 janë ndërru qeveritë, janë ndërru politikat. Janë bërë studime se a mund të shfrytëzohen lumenjtë e Kosovës dhe a mund të kryhen riparime, rritje e kapaciteteve gjeneruese. Projekti nuk është zhvillu, më vjen shumë keq se projekti i Zhurit e zgjidhte problemin e furnizimit” – u shpreh Çeku.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja e pyeti Çekun lidhur me vendimin për dhënien e statusit të shfrytëzuesit të privilegjuar për kompanitë private dhe jo për ato publike shoqërore.

“Në mbledhjen e qeverisë të datës 28 qershor 2006 ju keni diskutuar lidhur me çështjen Alferon, dhe aty është diskutuar mundësia e dhënies e statusit si konsumator i privilegjuar. Z. Dugolli iu është drejtuar jush se cili është rreziku potencial. Ju jeni deklaruar “Ekziston një rrezik i madh nëse nuk e nënshkruajmë por është edhe një rrezik i madh, sepse, duhet të marrim energjinë elektrike që nuk ekziston nga konsumatorët tonë edhe t’ia bartim Alferon-it. Në anën tjetër, kompanive si Trepça dhe SharrCem i shesim energji 5.6, kurse atyre iu ofrojmë energji me 3.3 pra dyfish më lirë. Si përfundim, ju keni thënë se “me gjithë rrezikun, jam pro nënshkrimit” – tha Muja.

“A jeni i vetëdijshëm z.Çeku se Alferoni dhe Birra Peja e kanë fituar statusin si shfrytëzues i privilegjuar kurse ndërmarrjet publike shoqërore si Trepça  nuk e kanë fituar.

Lidhur më këtë, ish-ministri Çeku deklaroi se në atëkohë humbjet në KEK ishin rreth 54 për qind dhe sipas tij, ky vendim ishte i drejtë.

“Në atë periudhë humbjet ne KEK ishin të jashtëzakonshme diku 54 për qind. Ne i kemi mbështetur invetësorët e jashtëm dhe brendshëm për furnizim të privilegjuar. Parimisht ne i kemi mbështet sic është edhe qëndrimi i atëhershëm por që nuk janë nënshkru nga ana jonë. Ne kemi biseduar, kemi bërë një analizë nëse e bëjmë furnizojmë dikë që i ka 2 mijë punëtorë, por qe është investitori i parë në Kosovë, ishte qëndrim i drejtë për furnizim të prodhimit vendor. Sepse humbjet teknike në rrjet ishin të mëdha, sepse spagunte rrymë askush atë kohë, dhe ta gjeje një blerës atëkohë e kam pasë riskun por e kemi analizuar” – u shpreh ai.

Ndërkaq, deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi tha se në vitin 2006-2007 ka pasur rënie në dy termocentrale. Thaçi e ka pyetur ish-ministrin Çeku se çfarë ka ndërmarrë ai në atëkohë për këto rënie.

“A keni dhënë ndonjë ndëshkim se po i bjen që çdo të katërten ditë ka pasur rënie” – u shpreh Thaçi.

Ish-ministri Çeku tha se është shkarkuar gjithë menaxhmentin për shkak të raportit të dobët.

“A keni nxit kallëzim penal?” – e pyet Thaçi-Çekun.

Pastaj diskutimi ka vazhduar mes kryesuesit të Komisionit, Hajdar Beqa nga PDK dhe Halil Thaçit të LVV-së.

“Z.Çeku nuk keni nevojë të përgjigjeni për çështje të përsëritura. Z. Thaçi mos u përsëritni” – thotë Beqa.

“Ruajni nivelin e kryetarit” – i drejtohet Thaçi – Hajdar Beqa.

‘Po ku me kanë me ty me nivel të kryetarit” – iu kundërpërgjigjet Beqa.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka ftuar për intervistë dëshmitarët për periudhën 2006-2008: Haki Shatri ish-ministër i Financave; Bujar Dugollim ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe Et’hem Çekun ish-ministër i Ekonomisë.
 

Ish-ministri Shatri pyetet nga komisioni për energji për importin nga kompanitë serbe