Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pozitë e opozitë në Komisionin hetimor për energji nuk arrijnë të votojnë listën e dëshimtarëve

Deputetët e pozitës dhe opozitës, anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, kanë dështuar të miratojnë listën e dëshmitarëve që do të ftohen të dëshmojnë para këtij komisioni.

Tash e dy mbledhje të këtij komisioni, deputetët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për këtë çështje.

Fillimisht, sot është propozuar një listë me emra të dëshmitarëve të harmonizuar nga administrata e kuvendit të Kosovës, për të cilën pati dakordim. Por në këtë listë ishin të përfshirë emra si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Kolë Berisha.

Deputetët e opozitës kërkuan që këta emra të largohen nga lista për shkak të pamundësisë që të jenë të pranishëm.

“Po kërkojmë me u heq sepse janë në procesin e Hagës ju me këta po doni me stop-u punën e këtij komisioni. Nuk po dojmë me e amnistu kërkon por që është e pamundshme të intervistohen”, tha Time Kadriaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kërkojmë që këta  emra me u tërheq për arsye të pamundësisë dhe një që ka ndërru jetë, nëse na dalin emra të rinj, të gjithë do të votohen dhe do të thirren”, tha Hajdar Beqa nga PDK.

Por një gjë të tillë u kundërshtua nga Armend Muja nga LVV, i cili tha se është në rregull që emri i Kolë Berishës të largohet nga lista pasi i njëjti ka vdekur por jo edhe emrat e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit.

“Është një tendencë e hapur për selektivitet për Kolë Berishën është objektive por nëse dikush ka një informacion saj përket procesit të shthurjes së KEK-ut, cila është logjika që mos të ftohet. Ne e kemi filluar këtë komision pa ndonjë person specifik por vetëm për t’i dhënë përgjigje qytetarëve të Kosovës”, tha Muja.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se në listën që është sjellë sot në këtë komision nuk është përfshirë edhe emri i ambasadorit, Martin Berishaj.

Zemaj tha se që nga mbledhja e kaluar, e mbajtur të mërkurën është kërkuar që Berishaj të përfshihet në listën e dëshmitarëve.

“Pse nuk është përfshirë Berishaj, fjalët kanë qenë që nga mbledhja e kaluar që ai të përfshihet në listën e harmonizuar? Je ka fulliratesh, je tu bo filma”, iu drejtu deputetit Armend Muja.

“Ne përsëri e propozuam sot Berishaj sepse nuk ishte e përfshirë në listën që u prezentua”, tha Zemaj.

Pas diskutimeve u vendos që lista të votohet në një mbledhje tjetër.

Më 5 maj 2022, me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.