Nesër mbledhje e jashtëzakonshme e KPK-së, konfirmohen listat për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale dhe për kryeprokuror të Prokurorisë së Prishtinës

Këshilli Prokurorial i Kosovës nesër pritet të mbajë takim të jashtëzakonshëm, ku pritet të konfirmohen listat për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale dhe për kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Mbledhja do të fillojë me miratimin e rendit të ditës, e më pas do të vazhdojë me kundërshtimin e prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës.

Tutje do të vazhdohet me konfirmimin e listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Po ashtu nesër në këtë mbledhje do të konfirmohet edhe lista e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.