Foto: Albin Kurti/Facebook

Nënshkruhet marrëveshja në vlerë prej 56.2 milionë për modernizimin e turbinave në ‘Kosova B’

Korporata Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompania amerikane “General Electric” kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të Termocentralit “Kosova B” në vlerë prej 56.2 milionë euro.

Sipas një komunikate të Qeverisë, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kryeministri i vendit, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, vizituan Termocentralin “Kosova B”.

“Duke e vlerësuar këtë si njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të energjisë në Kosovë, kryeministri ka rikujtuar vjetërsinë e termocentraleve, duke thënë se njësitë e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë filluar ndërtimin para më shumë se gjashtë dekadash, dhe se ndërmjet viteve ’60 dhe tani, ato të vetme kanë garantuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti tha se termocentralet janë shfrytëzuar përtej maksimumit të operimit të tyre.

“Ceremonia e ditës së sotme është një nga hapat kryesor që po marrim për të lehtësuar këtë barrë, të rrisim sigurinë e furnizimit, dhe për t’iu afruar vizionit tonë për sektorin e energjisë”- është shprehur kryeministri Kurti.

Ai theksoi se kompania me të cilën u nënshkrua kontrata për modernizimin e “Kosova B”, për të siguruar që ky termocentral do të vazhdojë i fortë edhe për dekadat në vijim, është e njëjta që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve më 1983 dhe 1984.

“Në thelb, këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike. Rritja e prodhimit do të përkthehet në pavarësi  më të madhe energjetike, duke ulur kështu varësinë ndaj importeve”- ka shtuar Kurti.

Më tej, Kurti njoftoi se në fund të këtij muaji do të lansohet ankandi i parë i energjisë në Kosovë në tokë publike me kapacitet 100 MW, dhe se pas tij, së shpejti do të pasojnë edhe shumë skema të tjera të tilla konkurruese.