Në shtator pritet të hapen konkurset për tri projekte në kryeqytet

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se përgjatë shtatorit do t’i shpallin konkurset ndërkombëtare arkitektonike për tri projekte për Prishtinën.

Tri konkurset të cilat priten të hapen janë për projektet: Salla Koncertale e Kryeqytetit – adaptim duke ruajtur  identitetin e ndërtesës ekzistuese Gërmia, Salla e re të Sporteve me kapacitet 3000 – 5000 ulëse dhe  Shkolla e Muzikës – adaptimi dhe renovimi i pjesës kulturore të Pallatit të Rinisë ku do të jetë e vendosur Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”.

Ahmeti ka ftuar të gjithë arkitektët dhe studio projektuese të jenë pjesë e këtyre tri konkurseve.

“Andaj, ftojmë të gjithë arkitektët dhe studiot projektuese që të jenë pjesë e konkurseve ashtu që të i sjellim Prishtinës projekte me të cilat do të krenohemi të gjithë” ka shkruar Ahmeti.

Tutje, ai ka njoftuar se konkursi i radhës do të jetë ai për Spitalin e Prishtinës.

Vitin e kaluar shumë zëra ishin ngritur  lidhur me rrënimin e objektit të “Gërmisë”, për t’i hapur rrugë ndërimit të një objekti të ri për Sallën Koncertale të kryeqytetit.